Vazhdon të jetë shqetësuese mungesa e barnave esenciale në QKUK

10:01 | 5 Mars 2023
A Z

Mungesa e barnave esenciale në QKUK po rrezikon xhepin e pacientëve çdo ditë e më shumë.

Ata, përveç hallit me sëmundjen që kanë, po përballen edhe me shpenzime shumë të mëdha të blerjes së barnave.

A.B pacient i shtrirë në QKUK tha se çdo ditë duhet blerë barna, raporton “Arbresh.info”.

“Janë disa ilaçe që duhet me i ble çdo ditë. Paramendo, 6 euro në ditë po më bahen. Shtrenjtë se nuk kemi të ardhura. Po ashtu edhe disa analiza që nuk kryhen këtu po duhet ti bëjmë privat dhe po janë shumë të kushtueshme”, tha ky pacient i shqetësuar.

Këtë shqetësim e ka edhe deputeti i AAK-së Shemsedin Dreshaj, që me profesion është mjek.

“Kurrë situata me keq nuk ka qenë, shpresat kanë qenë të mëdha, por fatkeqësisht kjo nuk po rezulton me përmirësim të situatës”, tha Dreshaj për “Arbresh.info”.

Sipas tij, shkaktarë për ketë situatë është menaxhimi jo i mirë edhe përkushtimi jo i duhur.

“Shëndetësia nuk mund të përmirësohet pa qenë prioritet qeverisës”, shtoi Dreshaj.

Por, U.D. Shef i sektorit te furnizimit me barna dhe material medicinal Shqipe Fetahu, tha se megjithatë po ia dalin.

Sipas saj sa i përket furnizimit me barna dhe material medicinal në përgjithësi situata është e qëndrueshme.

“Mungesat janë të shprehura në shumë pak produkte të cilat i referohen vonesave të liferimit nga Operatorët Ekonomik. Pra, marrë në përgjithësi furnizimi gjithnjë e më shumë është duke u përmirësuar kështu që në të ardhmen nuk besoj që do ketë vend për ankesa nga pacientët”, ka thënë Fetahu.

Kujtojmë se buxheti për shëndetësinë për këtë vit është 296 milionë euro, derisa për vitin 2022 ishte 198 milionë euro. /Arbresh.info/Vjollca Gajraku/

Të ngjashme