Sot do të vazhdojë përpjekja për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, pasi seanca e së shtunës që u mbajt për të njëjtin qëllim, dështoi për mungesë të kuorumit
“Seanca do t’i vazhdojë punimet nesër, më 4 prill në orën 17:00”, tha kreu i kuvendit, Glauk Konjufca.
Në garë për president, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmanin. Kundërkandidati i saj është Nasuf Bejta.
Raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit.
Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë.
Tre deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, pavarësisht se ishin në sallë gjatë votimit, nuk morën pjesë në këtë proces.
Sipas Kushtetutës, në rrethin e parë të votimit duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim, në të kundërtën votimi përsëritet.
I njëjti rregull për pjesëmarrjen e 80 deputetëve vlen edhe për raundin e dytë të votimit.
Të pranishëm në sallë ishin 82 deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe. Po ashtu e pranishme në seancë ishte edhe Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në nisje të seancës ishte i pranishëm edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe deputeti Bedri Hamza, por më pas ata lëshuan sallën.
Deputetët e tjerë të AAK-së, të PDK-së dhe të Listës Serbe, i bojkotuan punimet e kësaj seance.
Kusari-Lila: Shpresojmë se tre deputetët e LDK-së do të reflektojnë
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, pas përfundimit të seancës, tha se Kosova mund të përballet me zgjedhje të reja, për fajin, siç tha ajo, të tre deputetëve të LDK-së, që nuk morën pjesë në votimin për presidentin.
“Ndoshta kanë mundësi të reflektojnë. Po flasim për disa orë sonte dhe deri nesër pasdite. Shpresojmë se do të ketë reflektim nga ata deputetë dhe nga ata që nuk ishin prezentë në sallë”, tha Kusari-Lila.
Cakolli: Raundi i parë i votimit mund të përsëritet deri në pafundësi
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse 80 deputetë nuk marrin pjesë në raundin e parë të votimit për president, atëherë ky raund mund të përsëritet në “pafundësi”, përkatësisht deri më 5 maj, kur skadon mandati i ushtruesit të detyrës së presidentit.
“Raundi i parë i votimit do të përsëritet aq herë sa ka nevojë, derisa të arrihet kuorumi prej 80 deputetëve, përveç nëse kjo kalon datën 5 maj pas së cilës kuvendi nuk ka të drejtë as të mblidhet”, thotë Cakolli për Radion Evropa e Lirë.
“Pas datës 5 maj Kuvendi i Kosovës, nuk mund të mblidhet dhe më pas t’i njëjtit do të skadojë në një formë mandati kushtetues, pasi që do të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nëse deri më 5 maj nuk zgjidhet presidenti atëherë do të futemi në një terr kushtetues për shkak se nuk do të kemi institucion që do t’i thërrasë këto zgjedhje”, shton ai.
Pas këtij afati, sipas Cakollit, Konjufca, i cili është ushtrues detyre i presidentit, nuk mund ta mbajë më këtë post, ndërkaq kuvendi dhe qeveria nuk kanë të drejtë që të shpallin zgjedhje, gjë që sipas tij, do ta fuste Kosovën në një krizë të panjohur kushtetuese.
“Mbi të gjitha nuk do të kemi institucione që mund të sfidojë këtë çështje në Gjykatën Kushtuese për shkak se Kuvendi do të mbetet pa mandat. President nuk do të kemi, ndërsa qeveria nuk ka të drejtë të sfidojë çështjen në Gjykatë kushtetuese lidhur me kompetencat e institucioneve tjera”, shton Cakolli.
PDK-ja kundër zgjedhjes së Osmanit
Gjatë seancës së jashtëzakonshme, Enver Hoxhaj tha se me zgjedhjen e Osmanit në krye të shtetit, kryeministri Albin Kurti po dëshiron kontroll absolut të tri institucioneve të shtetit: kuvendit, qeverisë dhe presidencës.
“Vjosa Osmani nuk po zgjidhet si presidente, por atë po e emëron zoti Kurti, po e dërgon në presidencë që të ketë një kontroll absolut”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj përsëriti qëndrimin se PDK-ja nuk e mbështet Osmanin për presidente.
“Një gjë duhet ta dinë qytetarët e Kosovës që nuk ka pasur asnjë interesim as për një konsensus politik, as shoqëror, as partiak, por më shumë ka pasur një logjikë të nënshtrimit dhe jo të një kompromisit politik se si të zgjedhet presidenti në vend, kësaj qasje ne si PDK i themi jo”, shtoi ai.
Deputetët e LDK-së të pranishëm në seancën për votimin e presidentit.
Deputetët e LDK-së të pranishëm në seancën për votimin e presidentit.
Para nisjes së seancës, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila deklaroi se beson se i kanë votat për ta zgjedhur presidente Osmani-Sadriun.
“Unë besoj që do të jenë 80 deputetë që do të votojnë dhe që do të kemi mundësinë që sot të kemi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin”, tha Kusari-Lila.
Sipas Kushtetutës, në garë për president duhet të jenë të paktën dy kandidatë, të cilët paraprakisht duhet të sigurojnë nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve.
Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në Kosovë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, dhe më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.
Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota të deputetëve.
Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Para nisjes së seancës për zgjedhjen e presidentit, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett tha se mbështesin kuvendin e Kosovës që të zgjedhin presidentin e ri të vendit.
“U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të kuvendit që të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj popullit të Kosovës, duke marrë pjesë në votim dhe duke siguruar kuorumin”, tha Kosnett përmes një postimi në Tëitter.
Ndryshe, LVV-ja ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë. Nga komunitetet, Lista Serbe, në zgjedhje i ka fituar dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.
Pro votimit të Osmanit janë deklaruar komunitetet joserbe.
Të shtunën, para nisjes së seancës, zëvendëskryeministrja e Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak, Emilija Rexhepi ka postuar një fotografi në Facebook me anëtarët e Grupit Multietnik, ku ka thënë se ky grup është gati që ta votojë Osmanin për postin e presidentit.
Ndërsa partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur kundër. Lista Serbe nuk është deklaruar.
Ish-partia e Osmanit, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë, gjatë kësaj jave ka thënë se do të marrë pjesë në votimin e presidentit.
Gjatë ditës së premte dhe të shtune kishte përplasje mes partisë në pushtet dhe atyre opozitare, pasi deputetët e LVV-së inicuan shqyrtimin e ndryshimeve të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Pak para nisjes së seancës të shtunën, deputetët e LVV-së, përmes një letre dërguar kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufcës njoftuan se e tërheqin këtë nismë nga procedurat parlamentare.
Lidhur me ndryshimet në këtë ligj, të premten u mbajt një seancë, por kërkesa që shqyrtimi i këtij legjislacioni të bëhet me procedurë të përshpejtuar nuk kaloi, pasi opozita votoi kundër.
Ndryshimet e ligjit do t’i mundësonin diasporës të votojë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë.
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i bëri thirrje kryeministrit, Albin Kurti dhe shumicës parlamentare “që të heqin dorë nga ky shantazh ndaj opozitës”.
Por, të shtunën, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, përmes një deklarate për media tha se ka marrë garancën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kandidatës së Vetëvetëndosjes për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani se “gjithçka që ka të bëjë me Ligjin për zgjedhjet, do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës dhe se bashkë do ta bëjmë dhe përmbyllim reformën zgjedhore”.
Kosova është përfshirë nga përplasjet politike për ndryshimin e Ligjit të zgjedhjeve dhe zgjedhjen e presidentit, në kohën kur vendi po përballet me numër të lartë të të infektuarve me koronavirusin e ri dhe dëmet që ka shkaktuar pandemia në ekonomi e fusha të tjera.
Abdixhiku premton: Me ne, Kosova do të anëtarësohet në NATO ...
Milani duhet të sakrifikojë Fonseca-n apo Leao-n?
OKB: Situata humanitare në Liban është më e keqe sesa në luf...
Komuna synon largimin nga rruga të rreth 1500 qenve endacakë...
Haxhiu: Shah e ping-pong me Deharin, VV-ja do të duhej të di...
Në prag të zgjedhjeve presidenciale, Pacolli udhëton drejt A...