Google ADS

Vazhdon programi i imunizimit për të gjithë fëmijët anembanë Kosovës

19:19 | 7 Maj 2020
Arbresh.info

Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani së bashku me Shefin e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, z. Murat Sahin, sot e vizituan Qendrën për Imunizim, e cila ndodhet në kuadër të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Ulpianë.

Gjatë vizitës, znj. Osmani tha se programi i imunizimit është shumë i rëndësishëm për shëndetin e të gjithë fëmijëve në Kosovë.

“Jam mirënjohëse për punën e palodhshme të të gjithë punëtorëve shëndetësorë për t’i përmbushur nevojat e prindërve dhe për të ofruar shërbime themelore shëndetësore për të gjithë fëmijët gjatë kësaj kohe të vështirë. I inkurajoj prindërit t’i imunizojnë rregullisht dhe plotësisht fëmijët e tyre”, ka thënë Osmani.

Shumë vende nëpër botë e kanë suspenduar programin e imunizimit për shkak të COVID-19, duke përfshirë edhe Kosovën. Megjithatë, në partneritet me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Ministrinë e Shëndetësisë, programi i imunizimit ka filluar dhe janë vendosur edhe tenda për imunzim në tërë Kosovën. Mijëra fëmijë janë vaksinuar dhe mbrojtur nga sëmundjet brenda pak ditësh.

Murat Sahin, Shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë tha se përderisa nuk ka vaksinë kundër COVID-19, ka vaksina efektive kundër shumë sëmundjeve të tjera të rrezikshme, si fruthi, difteria dhe të tjera, që lehtësisht mund ta mbysin një fëmijë.

“Është e rëndësishme që prindërit në Kosovë të vazhdojnë së vaksinuari fëmijët në përputhje me orarin e vaksinimit edhe gjatë pandemisë. Ne do të vazhdojmë së përkrahuri institucionet shëndetësore duke i mbajtur punëtorët shëndetësorë dhe komunitetin të sigurt duke siguruar pajisje personale të mbrojtjes për punëtorët shëndetësorë”, ka theksuar Sahin.

Vaksinat shpëtojnë deri në 3 milion jetë çdo vit, duke i mbrojtur fëmijët nga sëmundje vdekjeprurëse, me infeksion të lartë si fruthi, pneumonia, kolera dhe difteria. Imunizimi është ndërhyrja me koston më të ulët për shëndetin e fëmijëve.

Kosova është përfshirë në procesin e imunizimit në masën 90 për qind. 70 për qind e fëmijëve nën moshën 3 vjeçare janë të imunizuar plotësisht (që kanë marrë vaksinat e rekomanduara sipas orarit të imunizimit). 30 për qind nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë plotësisht të imunizuar.

Për t’i mbështetur komunitetet e margjinalizuara, UNICEF-i së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë e zbaton programin e vizitave nëpër shtëpi, në të cilin çdo përfshihen 16,000 familje në tërë Kosovën. Programi i vizitave në shtëpi ofron shërbime si promovimi i gjidhënies, imunizimi dhe këshilla për prindërim më të mirë që është financuar nga Qeveria e Luksemburgut.

Për të siguruar cilësi të vaksinave të dhëna, UNICEF-i është në proces të mbështetjes së MSH-së për ta fuqizuar sistemin e zinxhirit të ftohtë të vaksinave.

Vaksinat janë mjete të sigurta dhe efektive që shpëtojnë jetë për ta parandaluar përhapjen e sëmundjeve!​/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme