Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

07:50 | 23 Nëntor 2023
E.H

Në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon, sot nga ora 09.30, procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të mërkurën, ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari, Zijadin Hoxha, kurse pas tij, po dje, ka filluar dëshminë ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Safete Hadergjonaj me kodin W0441, në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

Hadergjonajn ka filluar që ta marrë në pyetje avokati i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen. Dëshmitarja e quajti gjykatë qesharake Gjykatën Speciale, duke thënë se ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë shkuar aty me sajesa nga Shërbimi Sekret Serb.

Safete Hadergjonaj, gjatë dëshmisë së saj po ashtu ka thënë se qëndrimi i saj është se akuzat e ngritura ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë të motivuara nga Serbia dhe me sajesa nga shërbimi sekret serb.

Në çështjen gjyqësore Shala, për këtë javë pritet të mbahen pesë seanca, raporton rtk.

Ai ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, n bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme