Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka vazhduar me ngritjen e aktakuzave ndaj personave që kanë vdekur shumë vite më parë.
Aktakuzën e radhës, kjo prokurori, e ka ngritur ndaj një personi që ka vdekur para rreth 12 vjetësh, konkretisht në vitin 2007, e të cilin e ngarkonte se kishte kryer veprën penale “vjedhja e shërbimeve komunale”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kjo aktakuzë ndaj I.I, ishte ngritur në dhjetor të vitit 2016, rreth nëntë vjet pasi që ai kishte ndërruar jetë, e të cilin e akuzonte se më 29 janar 2016, në shtëpinë e tij në Prishtinë, ishte hasur duke shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë të kundërligjshme.
Lidhur me këtë aktakuzë, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar shqyrtimin fillestar më 25 korrik 2019, mirëpo nga fletëkthesa rezultonte se i akuzuari ishte i panjohur.
Më pas, kjo gjykatë më 7 gusht të këtij viti, kishte kërkuar nga Policia e Kosovës, që të verifikonte në regjistrin e gjendjes civile, statusin jetësor për të akuzuarin I.I.
Po të njëjtën ditë, policia e kishte njoftuar gjykatën se i akuzuari I.I kishte vdekur dhe ishte futur në regjistrin e personave të vdekur.
Pasi kishte marr konfirmim zyrtar, gjykatësi Alban Ajvazi, më 16 gusht 2019, kishte marrë vendim për hedhjen e kësaj aktakuzë dhe pushimin e kësaj procedure penale.
Në vendimin për hedhjen e kësaj aktakuze, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se shpenzimet e kësaj procedure bien në barrën buxhetore të gjykatës.
Ndërsa, pala e dëmtuar, kompania KEDS, për realizimin e kërkesës pasurore-juridik është udhëzuar në kontest civil.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 20 dhjetor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj I.I për shkak të veprës penale “vjedhja e shërbimeve komunale”, nga neni 323 par.1 dhe 2 të KPRK-së.
Sipas prokurorisë, më 29 janar 2016, në rrugën “Ramiz Sadiku”, në Prishtinë, i akuzuari I.I është hasur duke e shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë të paautorizuar.
Prokuroria pretendon se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, i akuzuari I.I ka bërë anashkalimin e njësisë matëse-njehsorit elektrik, duke futur shiritin filmik nga ana e djathtë për ta penguar punën e diskut dhe me qëllim që rryma e shpenzuar të mos regjistrohet dhe faturohet fare, me ç’rast të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 206,86 euro.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, vazhdimisht ka raportuar për një numër të rasteve të ngjashme, që Prokuroritë Themelore në nivel vendi kanë ngritur aktakuza ndaj personave që kanë vdekur para shumë vjetësh, e të cilat aktakuza më pas janë hedhur poshtë nga Gjykatat Themelore. /BetimipërDrejtësi
“Ndërtoni dialogun social”, punëtorët shëndetësorë protestoj...
Kosova do të figurojë si shtet i pavarur në platformat edhe ...
Vullneti për Xuxin: Ka ardhur me strategji por shkak të paaf...
Deri në fund të vitit fillon shërbimi që mundëson dedektimin...
Gjendja e 24-vjeçarit të therur në Gjilan e rëndë, transfero...
Kërkohet paraburgim ndaj një personi për shitblerje të narko...