Vazhdon moszbatimi i Ligjit për kontrollin e duhanit, që e ndalon pirjen e tij në ambiente të mbyllura. Disa qytetarë thonë që problemi është zinxhiror: nga mungesa e vetëdijesimit të qytetarëve e deri tek mungesa e mbikëqyrjes së zbatimit të tij nga ana e institucioneve.
Në ambiente të mbyllura po vazhdon të shkelet ligji kundër pirjes së duhanit
Ani pse është bërë një dekadë prej se ka hyrë në fuqi ligji i cili ndalon pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura në vende publike që ka për qëllim edhe mbrojtjen e shëndetit publik, ai po vazhdon të mos zbatohet…
Doktor Faik Hoti nga Departamenti i Epidemiologjisë, në një përgjigje për RTK-në, tha se ka shkelje ekstreme të ligjit, pavarësisht faktit se duhan-pirja në Kosovë pas miratimit të këtij ligji ka shënuar rënie nga 28.4% në 25.7% .
Nga Analiza e IKSHP-se e vitit 2020 janë evidentuar dy fusha ku ka shkelje ekstreme të ligjit: konsumimi i duhanit në hapësira të brendshme, kryesisht në gastronomi (kafe-bare) dhe reklamimi i duhanit në pikat e shitjes.
Tutje Hoti ka theksuar se konsumimi i duhanit në hapësira të mbyllura, përveç se është shkelje e ligjit dhe rrjedhimisht edhe e të drejtave të qytetarëve, është në të njëjtën kohë edhe dëshmi se institucionet përgjegjëse nuk janë duke e kryer punën e tyre ne raport me këtë ligj dhe kjo praktikë duhet të ndryshojë.
Qytetarët kanë ankesa për moszbatim të këtij ligji derisa thonë se mungon edhe vetëdijesimi qytetar.
” Në fillim pjesërisht zbatohej.. kjo nuk i falet organeve shtetërore të kenë përgjegjësi pse me leju me u helmu qytetarët.. njerëzit kanë nevojë të pinë një kafe në mënyrë të qetë jo në ambiente të papastërta që e shkatërrojnë shëndetin e qytetarëve pastaj kushton për me u sheru”, shprehet një qytetarë.
” Të gjitha lokalet nuk e respektojnë ligjin për kontrollin e duhanit, kontrolle nuk ka, ka mungesë të kontrollit më shumë aspekte përkitazi me duhanin po flas që është dëm i madh për popullin, sidomos për ata që konsumojnë në mënyrë pasive ,populli ynë nuk po don me u eduku, me e pranu ligjin”, thotë një qytetarë tjetër.
“Jashtë qendrës së Prishtinës e kam vërejt, jashtë lokaleve që frekuentohen nga inspektorët pak më larg se qendra e Prishtinës të gjitha lokalet në të gjitha lokalet pihet duhanin. Përderisa nuk ka vetëdijesim, përderisa pronarët e lokaleve , përderisa vet duhan pirësit nuk janë të vetëdijshëm që po i dëmtojnë ata që nuk pinë duhan, atëherë përgjegjësia bie tek institucionet, tek qeverisja lokale”, thotë qytetarët.
Pavarësisht se ligji përcakton dënimin për shkelësit fizik ose qytetarët me dënim prej 50 euro , për përgjegjësin e hapësirës 500 euro dhe personin juridik apo për subjektin afarist kjo vlerë arrin në 3,000 euro, konsumimi i duhanit në hapësira të mbyllura po vazhdon të jetë dukuri prezentë në vendin tonë.
Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka formuar edhe këshillin ndërministror për kontroll të duhanit me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik. Për një vit, në Kosovë hyjnë rreth 3 mijë e 500 tonelata duhan.
Nasim Haradinaj tregon daljen e parë para gjyqtarit: Kostumi...
Shqipëri/ Shpërblim për policët, pritet të përfitojnë 8000 e...
Barcelona në rrugë të mirë për ta transferuar Jonathan Tah v...
I gjithë Ferizaj në terr, Aliu: Kjo është e pashembullt
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...
Roshi flet për tërhiqjen nga kombëtarja: Nuk u ftova një vit...