Banorët serb të veriut të Kosovës sikurse me energji elektrike nuk paguajnë borxhet as për ujin me të cilin furnizohen nga Komuna Jugore e qytetit, përkatësisht KRU ‘Mitrovica’.
Nënkryetari i Komunës Jugore të Mitrovicës, Faruk Mujka, në një prononcim për Gazetën Observer, tregon se ata përveç mospagesës, nuk ndalen as me keqpërdorimin e ujit të pijes.
Për këtë arsye, gjatë sezonës së nxehtë të verës, si pasojë e keqpërdorimeve nga ajo pjesë, ka pasur mungesë dhe reduktime të ujit në Komunën Jugore të Mitrovicës.
“Me ujin e ujësjellësit të “Mitrovica” mbushen të gjitha pishinat në pjesën veriore, furnizohen të gjithë autolarjet, madje bëhet edhe ujitja e kopshteve dhe arave. Si pasojë e kësaj edhe qytetarët e pjesës jugore që janë pagues të rregullt po kanë probleme me furnizim të ujit “, ka deklaruar Mujka për Gazetën Observer.
Ai thotë se sikurse të gjitha problemet, edhe ky i ujit është shndërruar në çështje politike.
Lidhur me këtë problematikë, Lule Aliu, nga Zyra e Rregullatorit për Shërbime të Ujit, në një përgjigje dhënë Gazetës Observer, ka thënë se serbët e pjesës veriore vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të mos e kryejnë pagesën e shërbimeve për furnizim me ujë të pijshëm.
Sipas të dhënave që ARRU posedon, që nga viti 2006 e deri më sot, borxhi total arrin vlerën e mbi 6 milionë eurove, pa llogaritur edhe periudhën 1999-2006.
“Sa i përket borxhit ndaj KRU ‘Mitrovica’, ne baze te shënimeve dhe te dhënave qe ARRU disponon, KRU Mitrovica prej 2006-2016, ka dërguar sasinë e ujit te papërpunuar për pjesën veriore te Mitrovicës prej 41,343,848 m3 ujë të pijshëm dhe kur sasia ne fjale shumëzohet me çmim prej 0.123 €/m3 për vitet 2006-2012, dhe 0.17€/m3 për vitet 2012-2016, atëherë del se faturimi ne euro për 11 vite kap vlerën prej 6.055,717 €”, ka shpjeguar Aliu.
Qasja në pjesën veriore të Mitrovicës është shumë e kufizuar si pasojë e problemeve politike, dhe sipas Aliut edhe kur është marr vendim për çkyçje të ndonjë konsumatori në atë pjesë, si pasojë e presioneve politike është bërë rikyçja e menjëhershme.
“ARRU në bashkëpunim me KRU Mitrovica dhe Qeverinë, përkatësisht Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, vazhdimisht i nxisin qytetarët për të paguar, por fusha e veprimit në pjesën veriore është shumë e kufizuar si pasojë e politikës. Ka pasur tentim për çkyçje por menjëherë janë alarmuar të gjitha organet politike dhe është dashur prapë të bëhet kyçja”, ka deklaruar Aliu.
“ARRU pret me kënaqësi rregullimin e situatës politike dhe qasjen e organeve shtetërore edhe në pjesën veriore, me çka neve do të na lehtësonte punë sepse me këtë KRU ‘Mitrovica’ do të trajtohej si të gjitha KRU të tjera në Kosovë”, ka përfunduar Lule Aliu nga Zyra e Rregullatorit për Shërbime të Ujit në Republikën e Kosovës.
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...
Kuvendi vlerësohet si institucioni më transparent dhe llogar...
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?
AUV në pritje të rezultateve për mandarinat e importuara nga...