Vazhdon greva e minatorëve në Trepçë. Gjendja e tyre shëndetësore sa vjen e përkeqësohet. Ata këmbëngulin se nuk heqin dorë pa plotësim të kushteve. Nga ana e saj, Ministria e Ekonomisë sqaron se i ka përfunduar të gjitha detyrimet ligjore.
Në ditën e katërt të grevës, gjendja shëndetësore e minatorëve po përkeqësohet. Gjashtë minatorë u nxorën nga nëntoka paraditen e së premtes dhe u dërguan për trajtim mjekësor për në spitalin e Mitrovicës.
“Nuk na u dha mundësia me bisedu, kanë pasë qasje joprofesionale, jokorrekte me një tendencë kërcënuese me arsyetimin se jemi vonuar 15 minuta në takim, që nuk është as humane as njerëzore, që katër ditë nuk kanë pas vullnet me i vizitu minatorët”, tha për RTK, Ibrahim Jonuzi kryetar i sindikatës së Trepçës.
Në mbështetje të minatorëve, në Stantërg për vizitë qëndroi edhe kryesindikalisti i arsimit, Rrahman Jasharaj.
“Të gjithë deputet, kryeministrin e ministrat i kisha sjell këtu të qëndrojnë së paku një orë, të shohin se si punohet. Greva jonë kam menduar që është e rëndë, por greva jonë është si të shkosh në një hotel në krahasim me grevën këtu”, tha Rrahman Jasharaj, kryetar i sindikatës së arsimit
Profesionistët shëndetësorë këshilluan që minatorët të marrin ushqim dhe lëngje në mënyrë që të mos u përkeqësohet gjendja shëndetësore.
“Prej mëngjesit deri më tani ndihmë kanë kërkuar 6 minatorë. Kanë ardhë me lodhje, marramendje, kanë marrë terapi. 5 prej tyre janë lëshuar në shtëpi, i 6-ti është ende duke marrë terapi”, tha Luljeta Zhubi drejtoreshë e Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë.
Lidhur me gjendjen aktuale në ndërmarrjen Trepça kanë reaguar nga Ministria e Ekonomisë.
“Sa i përket pagave për muajin shtator, Qeveria ka ndarë 1.64 milionë euro për Trepçën një ditë para se të fillonte greva, pra më 23 tetor 2023, ndërsa ndërmarrja ka ekzekutuar pjesën e mbetur të pagave më 25 tetor (një ditë pas fillimit të grevës)”, shkruan në reagim.
Ministria deklaron se pas dhënies së pagave dhe shpjegimit që është dhënë nga Bordi me kërkesa të tjera, më 25 tetor Bordi është informuar se e vetmja ankesë aktive mbetet shkarkimi i ushtruesit të detyrës së kryeshefit.
Në lidhje me këtë, Bordi ka informuar punonjësit se vlerësimi dhe emërimi i kryeshefit është kompetencë ekskluzive e Bordit dhe kanë garantuar se vlerësimi i performancës i të gjithë zyrtarëve të lartë të ndërmarrjes po bëhet në përputhje me ligjin.
Nga kjo ministri kanë lutur minatorët dhe punonjësit tjerë të Trepçës që t’i kthehen punës sa më parë.
Meksikë, rrëzohet avioni “Cessna 207”, raportohet për 7 vikt...
LDK shënon 35-vjetorin e themelimit
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
“Shkodra Elektronike” me “Zjerm” për...
Kurti e Nagavci sot lansojnë pilotimin e Programit të Kuponë...
Moti sot i vranët dhe me riga shiu