Operimi i kompanive të transportit të udhëtarëve, po vazhdon të ballafaqohet me konkurrencë jo të drejtë të shkaktuar nga taksitë ilegale.
Kompanitë e transportit të cilat investojnë konsiderueshëm për licensim, blerje autobusash, taksa për operim, taksa komunale, si dhe tatimet ndaj ATK-së: tatimin në profit, atë në të ardhura personale dhe TVSH-në, rrezikohen nga qindra kombi dhe vetura që bartin ilegalisht udhëtarë dhe që nënkuptohet që nuk i kanë barrë asnjërën prej këtyre obligimeve.
Në përpjekje për të ndalë aktivitetin e tyre të paligjshëm Policia e Kosovës, kohë pas kohe, ndërmerr aksione duke u shqiptuar kundërvajtje të ndryshme, formë kjo e cila po ashtu deri tash është treguar joefikase shkaku i vonesave në procedimin dhe iplementimin e tyre nga ana e gjykatave.
Në situatën e tillë kur kompanitë e licensuara të transportit vazhdojnë të operojnëme humbje, pa ju siguruar kushte për punë, siguri dhe respektim të licensës, linjave dhe orareve të përcaktuara, sipas ligjeve në fuqi, por duke paguar tatimet e taksat pa asnjë vonesë, ATK ka kohë që i ka kushtëzuar ato edhe me fiskalizim.
Se kërkesa e pakompromis e ATK-së ndaj kompanive të transportit të udhëtarëve për vendosjen e arkave fiskale nëpër çdo autobus është absurde e thotë edhe vetëkryeshefi ekzekutiv i ‘Trafikut Urban’ në Prishtinë, Halil Mustafa, i cili për Gazetën Observer, ka treguar se që nga fiskalizimi kjo kompani është duke u ballafaquar pandalur me humbje .
Procesi i biletimit përmes kuponëve fiskal, sipat tij, merr shumë kohë, diku rreth 5-8 sekonda dhe në momentin kur futen shumë udhëtarë përnjëherë është shumë i vështirë furnizimi me bileta nga relacioni në relacion.
Mustafa, vë në pah se edhe mundësia e keqpërdorimit po tregohet është shumë më e madhe përmes biletimit me kupon fiskal, pasi kanë evidentuar shumë raste edhe tëfotokopjimit të tyre.
“Në bazë të disa analizave që i kemi bërë, 10-15 % kemi humbje vetëm nga arkat fiskale. Arka fiskale nuk është e destinuar për transport publik, duhet të kalohet në biletë elektronike”, thekson ai.
Valentina Bytyçi-Sefaj nga Administrata Tatimore e Kosovës, për Gazetën Observer ka thënë se pothuajse të gjitha kompanitë e transportit që operojnë në vend dhe janë të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit, janë të pajisura me arka fiskale, megjithatë, ajo thekson edhe se gjatë procesit të rimbursimit kanë hasur në raste të kuponëve jo-fiskal.
Edhe përkundër tregut të parregulluar, Sefaj thotë se kompanitë që refuzojnë të fiskalizohen gjobiten me 1000 euro.
Në një situatë të tillë, supozohet se kompanitë e licensuara të transportit do të duhej të kishin të rregulluar linjat dhe oraret e përcaktuara pa u interferuar relacionet e tyre nga taksitë ilegal.
“Ne rreth 20% kemi humbje nga taksitë ilegal. Është e pamundur të ndalen. Ata po ndjekin rrugë alternative dhe ndalen në çfarëdo vendi, duke rritur në masë të madhe rrezikun në trafik dhe shkaktim aksidentesh, ndërsa autobusët e ‘Trafikut Urban’ ndalen vetëm nëpër stacione”, thotë kryeshefi ekzekutiv i ‘Trafikut Urban’ , Halil Mustafa.
Sipas tij Komuna e Prishtinës dhe Inspektorati kanë çaluar në këtë proces .
Edhe Arian Saraçi – pronar i kompanisë turistike ‘Albakos’ tregon për vështirësitë që kanë kompanitë e transportit duke u ballafaquar me humbje të rreth 30-50 % të udhëtarëve për shkak të operimit ilegal të qindra taksive, veçmas në drejtimet Prishtinë-Vushtrri.
“Taksistët ilegal na kanë shkaktuar humbje të mëdha. Në linjat Prishtinë-Mitrovicë dhe Prishtinë-Vushtrri operojnë qindra kombi ilegal, të cilët nuk paguajnë as taksa e asgjë”, ka treguar Saraçi për Gazetën Observer.
Ai ankohet se kompanitë e licencuara po obligohen e kushtëzohen me gjobë për të plotësuar të gjitha kushtet, ndërkohë nuk po bëhet asgjë për të luftuar informalitetin.
“Asnjë aplikim për tender, dokumentacion, licensim etj., nuk mund të përfundohet nëse paraprakisht nuk janë shlyer të gjitha tatime dhe taksat. Ndërsa, mekanizmat shtetëror nuk ofrojnë as edhe kushtet primare për operim, siç janë orari, linjat, siguria dhe formalizimi i secilit operator’, thotë ai.
Habib Qorri nga Drejtoria për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, në një prononcim për Gazetën Observer, ka treguar se ka pasur kërkesa nga kompania ‘Trafiku Urban’ që të largohen taksistët ilegal.
“Komuna e Prishtinës, pas furnizimit të Ndërmarrjes me autobusë të rinj sidomos në linjën 1 dhe 4 në masë të madhe ka ndikuar në largimin e operatorëve ilegal (taksitë ilegal) për shkak të ngritjes së cilësisë në transport të udhëtarëve. Po ashtu Komuna e Prishtinës është duke hartuar Planin e Mobilitetit në bazë të cilit do të bëhet zgjidhja e përhershme e transportit”, ka thënë Qorri, duke theksuar se gjithsesi mbetet në kompetencë të inspektoratit të ndërmarrë masa ligjore ndaj të gjithë shkelësve të rregullave ligjore e në veçanti atyre ilegal.
Sylejman Halili nga Sektori i trafikut në Policinë e Kosovës, thotë se ilegaliteti i taksistëve luftohet qysh nga viti 2000.
“Varësisht prej periudhës kohore dhe kompetencave ligjore, Policia e Kosovëska larguar nga trafiku veturat taksi ilegal dhe ka qenë një periudhë kohore ku pothuajse çdo vozitës taksi ilegal i ka pasur mbi 10 kundërvjatje për veturë“ ka thënë Halili.
Halili pret që aktiviteti ilegal i taksistëve të ndalet pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Automjete.
“Pronarët e veturave nuk munden t’a vazhdojnë regjistrimin e veturave ose shitjen e tyre pa i shlyer të gjitha gjobat e shqiptuara”, ka shpjeguar ai.
Halili ka treguar se tashmë luftimi i kësaj dukurie ilegale është kompetencë e inspektorëve komunal të cilëve Policia e Kosovës u jep vetëm asistim, ndërsa kjo e fundit pothuajse çdo ditë shqipton kundërvajtje ndaj taksive ilegal .
Por, pasi këto gjoba nuk janë implementuar nga ana e gjykatave, si rezultat i mosfunksionimit të kësaj hallke institucionale, taksitë ilegale vazhdojnë të operojnë dhe të shtohen çdo ditë e më shumë, duke u bërë njëkohësiht edhe si formë më e preferuar e shërbimit nga ana e qytetarëve shkaku i mosvonesave dhe shpejtësisë në qarkullim.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...