Edhe sot, në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, do të vazhdojë seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Seanca e sotme do të fillojë në orën 09:30 dhe pritet të vazhdojë deri në orën 16:00.
Në seancën e djeshme kundër tyre ka dëshmuar dëshmitarja e parë, Zenka Pumper, e cila është hetuese në kuadër të Zyrës se Prokurorisë së Specializuar.
Ajo tha se në dokumentet e publikuara nga Haradinaj dhe Gucati, që ishin dërguar në zyrat e tyre nga “rrufeja”, kishte informacione për dëshmitarët e Speciales.
Ndryshe, ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.
Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë dhe që atëherë po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë./arbresh.info/