Vazhdon dëshminë hetuesja, Zdenka Pumper, në rastin e Gucatit dhe Haradinajt

10:31 | 25 Tetor 2021
arbresh.info

Mbrojtja e Hysni Gucatit ka vazhduar me pyetjet ndaj dëshmitares së parë në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Hetuesja, Zdenka Pumper, fillimisht sot i është përgjigjur pyetjeve të Jonathan Rees, avokat i Hysni Gucatit.

Rees ka kërkuar menjëherë të kalojë në seancë private.

Toby Cadman, avokati i Nasim Haradinajt, pritet të fillojë me pyetjet, pas përfundimit të avokatit Rees.

Dëshmitarja Pumper ka filluar dëshminë javën e kaluar në lidhje me dosjet e dorëzuara në Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gucati dhe Haradinaj po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, njoftojnë Dhomat e Specializuara.

Krerët e OVL UÇK-së ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme