Po vazhdojnë përplasjet pozitë-opozitë në Kuvendin e Kosovës për komisionin hetimor parlamentar për krizën energjetike.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila u shpreh e gatshme për tërheqjen e nënshkrimeve të propozimit të tyre për formimin e komisionit hetimor për energjinë, por me kusht që opozita të përfshijë kërkesat e tyre.
“Ky insistim jo që është i pakuptimtë, por opozita po i jep të drejtë vetes të mbajë këtë rrugë, por po e qet veten më të dobët… Ne po ju themi, merrni kërkesat tona në temat për hetim parlamentar. Madje këto aktuale të përmendjes së ambasadorit, takimet e tij që po i dini dhe bilancet të dy-tri ditëve të fundit nuk i keni në kërkesë. Duhet të azhurnoni kërkesën, momentin që azhurnoni me të kërkim të gjetura të reja përfshini edhe këto tonat. Ne po i lejojmë 6 nënshkrime, po i miratojmë, s’kemi nevojë as për 40 nënshkrime… merrni temat tona bëni pjesë të propozimit tuaj dhe do ta votojmë që sot kërkesën për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë”, tha ai.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se nëse i mohohet opozitës e drejta e themelimit të komisionit hetimor nuk ka asnjë kuptim qëndrimi i tyre në Kuvend.
“Nëse na mohohet një e drejtë, është minim i demokracisë. Qëndrimi ynë tani e tutje këtu s’ka asnjë kuptim. Nëse na mohohet një e drejtë e jona, s’ka më kuptim. Është absurde ta korrektoni ju opozitën, duke thënë se keni kërkesën mirë dhe po ua ndreqim pak”, tha ai.
Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, u shpreh kritik për debatet lidhur me komisionin hetimor parlamentar.
“Debat koti, përfundime koti, fyerje koti dhe njerëzit normalisht që na shohin nuk ka si të mos ketë përshtypje tjetër për neve përveç urrejtjes. Në vend se të diskutonim kur të na vijnë përfundimet e raportit, ne sot po luajmë rolin e hetuesit dhe përfunduesit të çështjeve dhe vijmë në konkludime tejet absurde… Për secilën temë hapni e themeloni komision hetimor dhe i keni nënshkrimet tona. A e dini ku kapemi ne? Nëse themeloni komision hetimor për Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Kosovës. E aty s’do të gjeni asgjë. Vetëm aty e prekni LDK-në, në asnjë fushë tjetër LDK-në nuk e prekni”, deklaroi ai./klankosova/
Krasniqi: Jemi angazhuar për një klimë më të mirë për të bër...
Shqipëria do ta mbyll për një vit, reagon TikTok – kërkon sq...
Nga transferimit tek Cluji, humbja e babait deri tek mosftes...
Tavo: Do të japim certifikatat e AMTP-ve dhe legalizimin e s...
Hetimet për sulmin në Magdeburg, të dyshuarit i është caktua...
Drita për t’u rikthyer te fitoret, Feronikeli ’74 për befasi...