Google ADS

Vasfije Krasniqi i thotë shoqërisë kosovare: Duhet t’ju vijë turp për stigmatizimin që na bëni çdo ditë

11:53 | 9 Mars 2020
M. A.

Me rastin e Ditës së Gruas, Kuvendi i Kosovës mban seancë të veçantë, kushtuar ngritjes së vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në këtë seancë po merr pjesë edhe Vasfije Krasniqi- Goodman, gruaja e parë që publikisht ngriti zërin si e dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Me shumë emocione, Vasfije Krasniqi iu drejtua deputetëve të Kuvendit të Kosovës e gjithë qytetarëve me një fjalim që i emocionoi të gjithë.

Ajo kritikoi shumë shoqërinë kosovare për stigmatizimin e vazhdueshëm që iu bënë viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Ligji I Kosovës  neve na quan viktima por na jena të mbijetuara. Ndihem mirë që ka familjar që i mbrojnë anëtarët e veta, por ndihem ma shumë keq kur e di që ka familjarë që nuk i mbrojnë nuk i përkrahin, ju thonë fjalë që unë këtu nuk mund ti përmendi ato fjalë këtu në këtë foltore edhe pse nga kjo foltore kanë dal fjalë që na kanë lënduar neve viktimave shumë”

Ajo tha se duhet t’i vijë turp shoqërisë që çdo ditë i viktimizon këto gra.

“Vendi jonë shoqëria jonë neve na stigmatizon, na bënë që të mos ndihemi motra t’mira e gra e nëna të mira. Ku ishi ju gjatë luftës që rrishi nëpër tavana e ju dhunojke gruaja. Ku ishi ju ku e përzutë nënën se e kishi të përdhunume e majtët gruan në shpi që se ke dite që është e dhunume. Duhet me ju ardh turp gjithë shoqërisë kosovare që po na viktimizoni çdo ditë neve.

Vasfija kritikoj edhe shtetin e Kosovës që sipas saj nuk ka bërë asgjë në rastin e saj por as të viktimave tjera.

“Na kërkojmë nga shteti vetëm mbështetje. Duhet të ndryshoni mo boll ju kemi duru që 20 vite për atë çka na keni bërë. I lus institucionet e Kosovës që mi marr me seriozitet këto raste. Unë e humba rastin tim në gjykatë por do të luftoj që të tjerat të fitojnë drejtësi”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme