Parcela e ndarë nga Komuna e Ferizajt për varreza të qytetit, ka përplasur komunën e Ferizajt dhe studentët e Universitetit të këtij qyteti.
Këta të fundit po thonë se ndërtimi i varrezave afër Universitetit është i dëmshëm për studentët por edhe për nxënësit e shkollave të mesmeve që ndjekin mësimin në afërsi.
Këtë që thonë studentët e kundërshton Fatmir Azizi, drejtor i Drejtorisë për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi në komunën e Ferizajt, i cili thotë se parcela e cila është ndarë për varreza është në fund të varrezave aktuale të qytetit dhe jo tek Universiteti.
Vendimin e komunës, studentët e Ferizajt e kanë kundërshtuar edhe nëpërmjet disa protestave të ndryshme.
Kryetari i Organizatës “Demokracia Studentore”, Mexhid Ramusa tha se vendimi për vendosjen e varrezave në afërsi të universitetit ndikon negativisht tek studentët dhe tek nxënësit pasi që sipas tij është jo e mirë që ata të shohin çdo ditë ceremoni të varrimit.
“Ky vendim është jashtëzakonisht i dëmshëm për studentët dhe për nxënësit e shkollave të mesme, sepse këtu gjinden edhe tri shkolla të mesme dhe një fillore, për arsye sepse ndikon jashtëzakonisht negativisht për nxënësit dhe studentët që andej pari të kalojnë ceremonitë mortore. Çka është më shqetësuese sepse ky vend është si kompleks universitar dhe këtu është planifikuar të ndërtohet mensa dhe konviktet për ti përmbushur kërkesat e studentëve”, tha Ramusa.
Këto pretendime të Ramusës i kundërshton drejtori i Drejtorisë për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi në komunën e Ferizajt Fatmir Azizi. Azizi tha për KosovaPress se varrezat nuk janë te Universiteti por ngjitas me të.
“Fakulteti është ngjitas me varreza, ka pasur mundësi me marrë ndonjë informatë të gabuar, ka menduar që këtu është që ne nuk jemi njerëz të krisur me bë ato gjëra se edhe ligji nuk e lejon, ne këtu e kemi marrë një vendim që është pronë e komunës dhe e kemi destinuar për varreza, është e destinuar për varreza, për zgjerim të varrezave”, tha ai.
Përveç studentëve kundër ndarjes së parcelave për varreza nga ana e komunës është edhe organizata që monitoron punën e komunës.
Drejtori ekzekutiv i AVONET Kenan Gashi tha për KosovaPress se ka kohë që kanë shprehur shqetësimin e tyre për ndarjen e parcelave për varreza, që nuk janë destinime të duhura për varreza.
“Por, edhe në rastin konkret tek ish kompleksi shkollor që janë shkollat e mesme dhe Universiteti i Ferizajt, ne kemi shprehur vullnetin tonë që të mos vendosen aty sepse nuk janë destinim i mirë dhe nuk i krijon mundësitë direkte për të krijuar mundësi të varrimit, kur dihet që Qeveria lokale ka pasur dhe vazhdimisht ka plane dhe strategji se ku të vendosen. Por, politikat e ndryshimit të qeverisjes e kanë ndryshuar edhe destinimin e varrezave në këtë rast që vijnë në kundërshtim edhe me disa lokalitete që është në Balaj por edhe tek Universiteti i Ferizajt që në atë rast të komplekseve shkollore. Ne kemi shprehur të dy rastet si raste që nuk janë destinuar në vend të duhur dhe duhet të jetë ai destinim në një pjesë tjetër që për mendimin tonë duhet të jenë në periferi, në këtë rast në fshatin e vjetër janë disa hektarë që mund të shfrytëzohen”, tha Gashi.
Edhe partia më e madhe opozitare në Ferizaj është kundër ndarjes së kësaj parcele.
Gazmend Bytyqi, nga PDK në Ferizaj tha se komuna është duke i shkaktuar dëme shumë të mëdha aseteve të komunës.
Sipas tij, vlera monetare e asaj parcele është shumë e madhe dhe ai thotë se do ta humbin atë parcele dhe nuk do të bëhet zgjidhje afatgjate.
“Komuna e Ferizajt dy vite radhazi ka planifikuar mjete buxhetore që atë vend ta shndërrojë në varreza. Çfarë është duke bërë tani komuna e Ferizajt është duke i shkaktuar dëme shumë të mëdha komunës sonë dhe aseteve pronësore të komunës, sepse vlera monetare e asaj parcele çfarë komuna është duke dashur që t’ia bashkëngjisë varrezave është një vlerë shumë e madhe dhe do ta humbnim atë pronë. Ne i kemi marrë statistikat edhe në Bashkësi Islame edhe me këtë nuk do të bëhet asnjë lloj zgjidhje, por vetëm në mënyrë parciale, ndoshta as për gjashtë muaj nuk do të mjaftojë ajo parcelë. Ne do ta humbim atë parcelë sepse do të mbushet me varreza dhe nuk do të bëjmë zgjidhje afatgjate për Komunën tonë”, tha Bytyqi për KosovaPress.
Më 28 qershor të vitit 2013 Kuvendi komunal i Ferizajt ka ndarë një ngastër kadastrale, pronë e komunës me sipërfaqe 2967 metra katror për zgjerimin e varrezave të qytetit.
Lela e zbulon planin e Drilonit me Anisën, jashtë BBVK3
Republikanët arrijnë marrëveshje për të shmangur mbylljen e ...
Haziri: Abdixhiku bëhet kryeministër më 9 shkurt dhe më 10 s...
Nuk e keni ditur por krehri i flokëve duhet të pastrohet çdo...
Noizy performon në Festivalin e Këngës në RTSh-së
Pranim-dorëzimi i detyrës së kreut të Kushtetueses, Rohde: E...