Google ADS

Varhelyi: Është në interesin e BE-së të zgjerohet së shpejti

13:39 | 8 Prill 2024
A Z

Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha se është në interesin e BE-së që të shohë zgjerimin të ndodhë së shpejti. Ai iu drejtua të hënën në forumin e BE-së me Ballkanin në Sofje.

Varhelyi tha se konteksti gjeopolitik kishte ndryshuar viteve të fundit. Përveç luftës së Rusisë në Ukrainë, aty pranë ka edhe një tjetër konflikt, si dhe kriza e COVID.

Vendet afër kufijve të BE-së janë më të prekura nga këto kriza, tha ai. Tutje, Varhelyi shtoi se politika e zgjerimit ka të bëjë me investime të qarta gjeopolitike. Fqinjët e BE-së janë partnerët e saj afatgjatë për paqe dhe prosperitet – kështu e shohin ata anëtarësimin e tyre, por gjithashtu duhet ta shohë BE-ja rolin e zgjerimit.

“Reformat e nevojshme duhet të zbatohen së bashku për të përshpejtuar procesin e pranimit të secilit vend”, tha komisionari Varhelyi, teksa vuri në pah rëndësinë që secili vend të respektojë angazhimet e tij.

“Komisioni aktual Evropian e filloi mandatin e tij me tre vende kandidate dhe tani janë nëntë prej tyre. Tre vendeve iu dha drita jeshile për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Tani ka një agjendë të qartë për të përshpejtuar integrimin real. Kjo do të thotë tejkalim i hendekut ekonomik”, tha Varhelyi, njofton BTA, transmeton RTKlive.

Tutje, Varhelyi shtoi se Komisioni i ardhshëm Evropian duhet të mirëpresë anëtarët e rinj të BE-së.

Ai bëri të ditur se Mali i Zi tashmë ka arritur në fazën përfundimtare, që nënkupton mbylljen e kapitujve të negociatave; Qeveria e re e vendit po përmbush angazhimet e saj. Ndërkaq për Shqipërinë pritet të hapet grupi i parë i kapitujve të negociatave, kurse sa i përket Serbisë, Varhelyi tha se negociatat e pranimit duhet të vazhdojnë.

Ndryshe, Forumi BE takon Ballkanin organizohet nga Forumi Liberal Evropian, Partia ALDE dhe Klubi Atlantik i Bullgarisë, me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme bullgare.

Të ngjashme