Vapa afrikane pritet të vijë edhe në Kosovë

23:04 | 19 Korrik 2022
L G

Autoritetet e sigurisë në vend janë shprehur të gatshme për intervenim nëse vendi kaplohet nga ndonjë zjarr, ashtu siç po ndodh edhe në Evropë. Por, zjarrfikësit po ankohen për automjetet për të cilat thonë se janë vjetërsuar.

Besim Aliu nga instituti hidrometeorologjik i Kosovës, paralajmëroi për temperatura të larta.

“Do të kemi temperatura bukur të larta, maksimalja do të lëvizin nga 37 deri në 39 gradë celsius,  përderisa në Spanjen Veriore u regjistruan temperaturat 43 gradë celsius, dje ditën e hënë, dhe  pjesë të tjera të Britanisë, Portugalisë dhe Francës kanë regjistruar temperatura 41, 42 gradë celsius, kurse në vendin tonë do të jenë këto vlera maksimale 37 deri në 39 gradë celsius”, tha ai.

Kurse, Malë Gashi, ndihmës komandant në brigadën e zjarrfikësve në Prishtinë, tha se në këtë sezon janë të përgatitur dhe të gatshëm për të intervenuar me kapacitetet që kanë.

“Sigurisht që në këtë sezonë llojet e zjarrëve fushoro-malore janë të theksune dhe të rritne në numër, por me kaq kapacitete që i kemi, jemi të gatshëm për të intervenuar në shuarjen e zjarrëve të tilla”, deklaroi ai.

Gashi foli edhe për mungesën e personelit dhe për automjetet e vjetërsuara.

“Aktualisht më së keqi jemi me personel dhe kjo nuk është vetëm kaq, por është me vite duke na përcjellur, që njerëzit kanë dalur në pension, e kanë lëshu punën.

Automjetët si numër me i kem në bazë të standardeve i kem por problemet i kem qe automjetët i kem te vjetra, pasi që janë të vjetra dhe dihet për këto zjarret fushore malore është vendi, ara të ndryshme, male, duhet me intervenu, po shkaktohen edhe defekte të ndryshme”, shtoi ai.

Ndërsa Kolonel Sefer Isufi, shef Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, në një përgjigje për RTK-në tha se FSK është e përkushtuar që të jetë gjithmonë në nivelin më të lartë të gatishmërisë operative për mbështetje ushtarake të autoriteteve civile ne secilën situatë, dhe është e gatshme edhe tani për reagim në rast se kërkohet nga autoritetet kompetente lokale dhe qendrore për menaxhimin e emergjencave.

Temperaturat e larta në Evropë kanë shkaktuar zjarre të shumta, duke marrë edhe shumë jetë njerëzish.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme