Ekspertët e shëndetësisë, vlerësojnë se vaksinimi i vendeve në rajon ndihmon Kosovën në zbutjen e situatës me COVID-19.
Megjithatë, nuk përjashtojnë mundësin se mund të kthehemi në situatën që kemi qenë, pasi që virusi ka mutacione të ndryshme.
Infektologu në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) Ilir Tolaj, thotë se vaksinimi masiv i vendeve të rajonit dhe atyre të botës perëndimore, ka efekt pozitiv në ecurinë e pandemisë edhe tek ne.
Tolaj pohon se sa më shumë të vaksinuar rreth nesh, aq më i vogël është rreziku.
“Në rast se nuk do të ketë vaksinim masiv të popullatës, është e mundur që pas verës të kemi rritje të numrit të rasteve të reja me Covid-19, edhe pse jo në shkallë çfarë ka qenë situata me valën e tretë. Vaksinimi masiv i vendeve të rajonit dhe atyre të botës perëndimore, me siguri që e ka efektin e vet pozitiv ne ecurinë e pandemisë edhe tek ne. Sa më shumë të vaksinuar rreth nesh, aq më i vogël është rreziku që ndonjë qytetar, bashkatdhetar i joni, të sjellë në Kosovë ndonjë variant të ri te virusit, i cili mund ta gjejë popullatën e ndjeshme, ata që nuk e kanë kaluar Covid-19 ose që nuk janë vaksinuar, për tu përhapur”, thotë ai.
Sipas tij, do të ishte jashtëzakonisht mirë që kjo periudhë e qetësisë të përcillet me imunizim masiv të popullatës me vaksinat anti-covid19, që ta mundim pandeminë përfundimisht.
“Situata epidemiologjike e volitshme lidhur me Covid-19 tek ne, që po pasqyrohet me numër të vogël të rasteve të reja, është para se gjithash rezultat i përfundimit të valës së tretë te pandemisë që, së bashku me dy valët paraprake, ka rezultuar me të infektuarit e me siguri, me shume se 60% të popullatës. Kjo shkallë e të infektuarit, me apo pa simptome, ka krijuar një nivel të kënaqshëm të imunitetit kolektiv ne mesin e popullatës, i cili është në gjendje që ta zbusë ecurinë e pandemisë mes nesh. Do të ishte jashtëzakonisht mirë që kjo periudhë e qetësisë të përcillet me imunizim masiv të popullatës me vaksinat anti-covid19, sepse në ketë mënyre, duke kombinuar imunitetin kolektiv nga te kaluarit natyror të infeksionit dhe imunitetit kolektiv nga vaksinimi, përfundimisht do ta kishim mundur pandeminë”, thotë Tolaj.
Por, ndryshe mendon Blerim Syla nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë.
Sipas tij, vaksinimi i vendeve të rajonit nuk e ka zbutur gjendjen në vendin tonë.
Madje, thotë se bashkatdhetarët që vijnë duhet të tregojnë pasaportën ose dëshminë e vaksinimit apo testin PCR, pasi që një numër i bashkatdhetarëve nuk ka mbërri me marr ende vaksinën anti-Covid-19, dhe duhet një kontroll ma rigorozë.
“Vaksinimi i vendeve të rajonit absolutisht nuk e ka zbutur gjendjen në vendin tonë, sepse virusi ka mutacionet e veta dhe sezon pas sezone mundet me ndryshuar. Është një numër i konsiderueshëm i popullatës që e ka kaluar virusin, por nëse nuk vaksinohemi ne prapë mund ti kthehemi në situatën që kemi qenë. Prandaj nuk mund të bazohemi se vaksinim i vendeve të tjera mund ta zbus situatën në vendin tonë. Gjermania nuk e ka numrin e lartë të vaksinimit, kishte me qenë mirë kur bashkatdhetarët që vijnë të tregojnë pasaportën ose dëshminë e vaksinimit apo testin PCR, pasi që dihet që një numër i bashkatdhetarëve nuk ka mbërri me marr ende vaksinën anti-Covid-19, dhe mbetet një kontroll ma rigorozë nëse duam me shpëtuar. Për momentin katër variante janë të virusit në qarkullim sidomos nga ky indian ekziston mundësia”, thotë ai.
Sipas statistikave të fundit Kosova është e fundit në rajon me më së paku të vaksinuar.
Këto janë statistikat e fundit të përditësuara më datën 24 maj të këtij viti:
Serbia: 2,370,000
Shqipëria: 720,000+
Mali i Zi: 118,725
Bosnja dhe Hercegovina: 102,803
Maqedonia e Veriut: 206,013
Kosova: 56,000+
Ndërsa, deri më tani në Kosovë janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç, dhe në proces të vaksinimit janë personat mbi moshën 65 vjeç. Së shpejti pritet të bëhet vaksinimi i 50% të popullsisë së Kosovës.
Shpërthimi në Ibër Lepenc/ Policia rrit masat e sigurisë, pë...
Moti sot me shi e borë
Shpërthimi në Ibër Lepenc, çfarë dihet deri më tani
Kurti: Punëtorët dhe zyrtarët e institucioneve po bëjnë një ...
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...