Google ADS

Vaksinën kundër gripit sezonal qytetarët nuk mund ta marrin para nëntorit

08:25 | 3 Tetor 2020
Arbresh.info

Në Kosovë janë siguruar 165 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal.

Por, ekziston shqetësimi tek qendrat e mjekësisë familjare se nuk do të furnizohen deri në muajin nëntor.

E, Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj për arbresh.info tha se, janë siguruar 160 mijë e 500 vaksina, por ende nuk kanë arritur.

Sipas tij, priten të sigurohen edhe 340 mijë vaksina kundër gripit sezonal.

“Janë siguruar 160 500 mijë vaksina, por ende nuk kanë arritur. Ne jemi në proces të sigurimit edhe të 340 mijë vaksina kundër gripit sezonal dhe kjo shpërndarje do të fillojë duke filluar nga kërkesat të cilat i ka marrë tashmë Instituti i kombëtarë i Shëndetit Publikë në komunat dhe QKMF-t tona anë e mbanë Kosovës.”, ka thënë Zemaj.

Ndërsa, Sami Uka, kryeshef i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, thotë se QKMF-të ende nuk janë furnizuar me vaksinën kundër gripit sezonal.

Ai mendon se do të furnizohen javën e ardhshme ose në fillim të muajit nëntor.

“Jo ende nuk kemi marre dozat e para të vaksinës kundër gripit sezonal. Po presim që javën që vjen të na dorëzohen dozat e para ose në fillim të nëntorit sipas komunikimit jozyrtar me IKShPK. Personat e interesuar për vaksinim kundër gripit sezonal do të lajmërohen me kohë për vaksinim sapo të sigurohen dozat e nevojshme”, ka thënë Uka për arbresh.info

Ndryshe, Vaksinat kundër gripit sezonal që tashmë i ka marrë Qeveria e Kosovës, janë siguruar përmes Agjencisë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara UNICEF, derisa Ministria e Shëndetësisë i ka paguar ato.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë vitit 2019 kanë qenë 16,000 raste të regjistruara me grip sezonal.

Viti 2018, ishte përmbyllur me 11 persona të vdekur nga gripi sezonal, ku autoritetet kishin shpallur atëkohë gjendjen epidemike të gripit. Derisa për vitin 2019 nuk kanë të dhëna për vdekje të personave me grip sezonal./A.Zeka/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme