Google ADS

Ushtrohet kallëzim penal kundër Arbërie Nagavcit dhe dy zyrtarëve tjerë, MASHTI e konsideron presion ndaj institucionit

14:28 | 12 Gusht 2023
Diellza Gashi

Shtëpia Botuese “Luarasi”, ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ndaj ministres së Arsimit Arbërie Nagavci, sekretares së Përgjithshme në këtë ministri, Fadile Dyla, si dhe këshilltarit të ministres, Valdrin Dervishaj, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe falsifikim të dokumenteve.

Në lidhje me ketë kallëzim penal, në Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), kanë thënë se nuk e kanë pranuar zyrtarisht nga organet e drejtësisë, teksa thonë se Ministria kryen detyrat sipas kompetencave, legjislacionit në fuqi dhe me transparencë të plotë, andaj pretendimet e në këtë kallëzim penal,  nuk qëndrojnë.

Sipas ministrisë, thuhet se nga shtëpia botuese “Luarasi”, janë paralajmëruar për ushtrimin e kallëzimit penal, çka sipas tyre, kjo perceptohet si presion ndaj institucionit.

“Për informatën tuaj, nga Shtëpia Botuese “Luarasi”, kemi pranuar Paralajmërim për ushtrim të kallëzimit penal, e njëjta sipas juristëve nuk njihet në praktikën juridike dhe mund të perceptohet si formë e presionit ndaj institucionit”, thuhet në përgjigjen e ministrisë, duke shtuar se palët e pakënaqura, pas trajtimit në kuadër të ministrisë, pretendimet e tyre mund t’i adresojnë në Gjykatë Themelore.

Nëse është pranuar ky kallëzim penali i ngritur më 2 gusht 2023 dhe nëse kanë nisur hetimet,  “Betimi për Drejtësi” ka pyetur edhe Prokurorinë Speciale të Kosovës, por të njëjtit deri më tani nuk janë përgjigjur.

Në anën tjetër këshilltari i ministres Nagavci, Valdrin Dervishaj, nuk e ka komentuar ketë kallëzim penal, duke thënë se nuk e ka pranuar dhe se parashtruesin e kallëzimit penal Shukri Klinakun e ka denoncuar për kanosje në vendin e punës.

Mirëpo, sipas përfaqësuesit të Klinakut, avokatit Driton Muharremit, nuk ka pasur të bëjë më kanosje por ka qenë thjeshte bisede mes klientit të tij me këshilltarin Dërvishaj, dhe se ky kallëzim penal për kanosje është paraqitur pas afërsisht një jave, pasi shtëpia botuese ka paralajmëruar kallëzimin penal.

“Nëse kish pas kanosje, këshilltari kish paraqit rastin menjëherë, jo pas një jave”, ka thënë avokati Muharremi.

Por, çfarë thotë kallëzimi penal, dhe për çfarë dyshimesh është ngritur?

Sipas kallëzimit penal, të ushtruar nga përfaqësuesi i autorizuar i shtëpisë botuese, avokati Driton Muharremi, në diapozitivin e parë të këtij kallëzimi penal, thuhet se ministrja Arbërie Nagavci ka qenë e informuar zyrtarisht me faktin se në konkursin e vitit 2021, recensenti i teksteve shkollore, në të njëjtin konkurs ka qenë edhe autor i teksteve shkollore. Kështu, thuhet se me përzgjedhjen e recensentëve është shkelur udhëzuesi administrativ 18/2018, i cili tekstivisht ndalon një gjë të tillë.

Përkundër kësaj, ministrja thuhet se nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim duke dëmtuar materialisht dhjetëra mijëra euro shtëpinë botuese, duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.

Veç kësaj, ministrja Nagavci në këtë kallëzim penal, ajo dyshohet se ka keqpërdorur pozitën në një sere rastesh.

Gjitnjë sipas kallëzimit penal, Nagavci bashkë me sekretaren Fadile Dyla thuhet së përkundër se ishin në dijeni se komisioni për ankesa i MASHT-it, kishte aprovuar ankesën e “Luarasit”, dhe kishte obliguar Këshillin e Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore (KEPTSH), që të rishqyrtojë poentimin e teksteve “Matematika 4A” dhe “Matematika 4B”.  Kryetari i KEPTSH, që ka qenë këshilltar i Nagavci, Fatos Osmani, thuhet se kishte refuzuar zbatimin e këtij vendimi. Kështu, Nagavci thuhet se nuk ka ndërhyre në këtë shkelje, kurse sekretarja Dyla ka lejuar moszbatimin e këtij vendim edhe pse e ka qenë përgjegjëse dhe ka pasur obligim ligjor.

Tutje, Nagavci dhe Dyla thuhet se kanë bërë shkelje tjerë në shpalljen e kundërligjshme të një konkursi miliona euro. Ministrja e Arsimit, në dhjetor 2022, kishte lejuar shpalljen e konkursit për tekstet e klasave nga 1-5, të cilin konkurs nuk e kishte ndaluar as Dyla.

Sipas kallëzimit penal, ky konkurs ishte shpallur me arsyetimin se konkurset e mëhershme kanë qenë jo të suksesshme, por Shtëpia Botuese thotë se posedon lejen e botimit për matematikën 3(3A dhe 3B), me vendime të lëshuara nga MASHT, nga një konkurs i suksesshëm, të cilën ministria e quan të pasuksesshëm.

“Dëmi që shkaktohet me një konkurs për tekste shkollore, kur konkursi është i kundërligjshëm është miliona euro, sepse konkursi për tekste shkollore, quhet konkurs por në të vërtetë është tender tipik miliona euro”, thuhet kallëzim penal.

Në lidhje me ketë konkurs, siç thuhet të shpallur me 12.12.2022, mbi bazën e vendimit 3179, 05.12.202, shtëpia botuese, thotë se në vazhdimësi ka kërkuar qasje në këtë vendim për të parë bazën ligjore. Por, sipas kallëzimit penal, vetëm pas dy muajsh shtëpia botuese ka kuptuar se shpallja e konkursit, ishte mbi bazën e një vendimi tjetër, i cili mbanë numër e datë tjetër. Ky vendim, thuhet se nuk është publikuar deri në shkurt të këtij viti (2023), dhe vetëm pas intervenimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP).

E gjithë kjo, dyshohet të jetë bërë nga Ministrja me kabinetin e saj, përkatësisht këshilltarin Valdrin Dervishaj të cilët thuhet se kanë falsifikuar dhe antidatuar vendimin. Madje, ky vendim sipas kallëzimit penal, nuk e ka vulën katrore të MASHT-it, sikur vendimet tjera, çka ngritin dyshime për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Në dispozitivin e pestë të këtij kallëzimi penal, thuhet se ministrja Nagavci me sekretaren Dyla, kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, në rastin e konkursit të 12 dhjetorit 2022, sipas kallëzimit penal ishte mbyllur më 16 maj 2023 dhe në ditën e fundit nuk janë pranuar dorëshkrimet me “shkaqe teknike”, duke u shtyre për datën 17.05. 2023. Por, sipas shtëpisë botuese, MASHTI kishte njoftuar se dorëshkrimet do të pranohen edhe më 25.05.2023, kjo më qëllim të favorizimit të një apo më shumë operatorëve ekonomikë, duke shkele barazinë e pjesëmarrjes në konkurs. Shtëpia botuese, thotë se kishte kërkuar anulimin e këtij konkursi, por komisioni i ankesave kishte refuzuar ankesën.

Tutje, Nagavci e Dyla, thuhet se kanë keqpërdorur prapë pozitën zyrtarë në rastin kur Ministrja Nagavci, kishte nënshkruar vendimin për largimin nga përdorimi të “Matematika 3”, e shtëpisë botuese “Luarasi”. Sipas tyre, kjo është shkelje e Ligjit për Botimin e teksteve shkollore dhe se nuk mund të largohet një tekst i cili e ka fituar të drejtën me një konkurs të rregullt publik.

Në lidhje me këtë, shtëpia botuese pretendon se ka ndodhur edhe falsifikim të përmbajtjes se raportit të komisionit ad-hoc, i cili kërkon disa përmirësime të këtij libri dhe vetëm nëse shtëpia botuese refuzon ndryshimet e nevojshme, libri mos të lejohet.

Mirëpo, sipas shtëpisë botuese, nuk janë njoftuar fare për krijimin e këtij komisioni e as për rekomandimet e tij. për këtë thuhet se shtëpisë botuese i janë shkaktuar dëm në vlere prej 300 mijë euro. Ndërsa, për sekretaren Dyla thuhet se nuk kishte ndaluar që kjo shkelje mos të ndodhte.

Veç tjerash, thuhet se Nagavci e Dyla më dashje dhe më qëllim të dëmtimit të shtëpisë botuese kanë vonuar nxjerrjen e vendimit për largimin nga përdorimi të librit. Sipas kallëzimit penal, Nagavci me 5 dhjetor 2022, njoftohet për krijimin e një komisioni vlerësues për tekstin Matematika 3 dhe se Nagavci e krijon ketë komision tek pas dy muajve më 2 shkurt 2023, në të cilin vendim thuhet se komisioni raportin duhet ta dërgojë deri më 20 shkurt 2023. Por, sipas tyre, Nagavci vendimin bazuar në këtë raport e nënshkruan më 6 qershor 2023.

Kjo vonese, prej 5.5 muaj, sipas kallëzimit penal është bërë që ta dëmtojë shtëpinë botuese pasi konkursi për tekstet shkollore ka pasur afatin e mbylljes më 16 maj 2023 dhe sikur vendimi për largimin e tekstit të ishte marrë para kësaj date, shtëpia botuese do aplikonte në këtë konkurs më dorëshkrimin e përforcuar të “Matematika 3”.

Shkelja tjetër, pretendohet se është bërë kur ky vendim për largimin nga përdorimi të dorëshkrimit, i bahet fshehte dhe nuk i dërgohet shtëpisë botuese deri më 11 korrik 2023, kjo sipas tyre më qëllim që të kryhen procedurat për përzgjedhjen e teksteve nga ana e mësimdhënësve dhe pastaj të kryhen edhe procedurat e tenderimit të teksteve shkollore nga të cilat burojnë kontratat e MASHTI-t më shtëpitë botuese. Me këto vonesa, sipas këtij kallëzimi penal është dëmtuar shtëpia botuese, nga ministrja Nagavci dhe kabineti i saj.

Se si do të përfundojë ky kallëzim penal, mbetët të shihet nga PRSK, e cila duhet të vendos në afat prej 30 ditësh nëse do ta hudhë poshtë apo do të nisë hetimet për këtë rast./BetimipërDrejtësi

Të ngjashme