Google ADS

Ushtrisë së Kosovës sot iu shtuan edhe 190 rekrutë të rinj

15:02 | 24 Dhjetor 2021
L G

Në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, sot u mbajt ceremonia e betimit të 190 rekrutëve të rinj të FSK-së.

Ata u betuan solemnisht në prani të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zyrtarëve vendorë e ndërkombëtarë si dhe familjarëve të tyre, njofton  Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Pas intonimit të himnit shtetëror, presidentja Osmani-Sadriu tha se me rekrutimin e këtyre rekrutëve FSK përmbyllë një vit jashtëzakonisht të suksesshëm të angazhimit dhe të rritjes së Forcës gjithnjë konfrom standardeve profesionale dhe në harmoni me praktikat e ushtrive moderne, shkruan arbresh.info.

“Secila ditë e certifikimit të ri është e veçantë për ushtrinë dhe për shtetin tonë sepse krahas rritjes së kapacitetit, FSK po ecën me hapa të sigurt drejt përfundimit të procesit të tranzicionit”, tha Osmani-Sadriu.

Ndërsa, kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes e vlerësojnë mbrojtjen dhe sigurinë si shtyllë jetike të shtetit tonë.

Ai theksoi se do të vazhdojë të mbështesë FSK-në dhe që përkrah aleatëve tonë strategjikë, Shteteve të e Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera të NATO-s ta modernizojmë forcën dhe ta bëjnë operacionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve partnere.

Në fund të kësaj ceremonie, komandantja e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjenerabrigade Irfete Spahiu i uroi rekrutët për suksesin e dëshmuar gjatë trajnimit si dhe shprehu besimin për shërbim dhe karrierë të suksesshme në uniformën e FSK-së.

Certifikimi i 190 ushtarëve të rinj është proces në kuadër të ngritjes dhe zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve të nevojshme operacionale, bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme