Ushtria, në gjysmën e parë të dhjetorit

08:05 | 27 Nëntor 2018
Arbresh.info

Kosova pritet të bëhet me ushtrinë e saj në gjysmën e parë të muajit të ardhshëm (dhjetor). Kështu bëjnë të ditur burimet e gazetës “Zëri”, sipas të cilëve votimi në lexim të dytë në Kuvend i tri projektligjeve të propozuara nga Qeveria për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri pritet të ndodhë në seancën e 6 dhjetorit ose më së largu më 13 dhjetor.

Nga zyra për informim e kryeministrit Haradinaj kanë refuzuar të flasin për data se kur pritet të bëhet Kosova me ushtrinë e saj, megjithatë, sipas tyre, një gjë e tillë do të ndodhë së shpejti në Kuvend. “Kjo çështje tashmë është në kompetenca të Kuvendit. Ne shpresojmë që shumë shpejt të ndodhë kjo gjë, tash varet se kur e vendos Kuvendi në agjendë çështjen e ushtrisë”, thuhet në përgjigjen e tyre dhënë “Zërit”.

Votimi i ushtrisë së Kosovës ka bërë bashkë të gjitha subjektet politike parlamentare, pozitë – opozitë, përpos Listës Serbe e cila e kundërshton procesin e transformimit të FSK-së. Madje edhe krerët e shtetit në Beograd po zhvillojnë fushatë të ashpër kundër formimit të ushtrisë së Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme