Ushtria austriake shënon 25 vjetorin e misionit në Kosovë. Ushtria Federale Austriake është përfshirë në misionin në Kosovë që nga viti 1999. Që atëherë, gjithsej 24,400 ushtarë austriakë kanë marrë pjesë në misionin e KFOR-it në Kosovë.
Kontingjenti i 50-të aktualisht ndodhet në Kosovë. Ushtria Federale mbështet ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ndihmon organizatat ndërkombëtare dhe merr pjesë në rindërtimin e rajonit. Për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike në raport me Kosovën, Austria ka një interes të veçantë për zhvillimin paqësor dhe të qëndrueshëm të të gjithë Ballkanit.
Ministrja e Mbrojtjes Klaudia Tanner, tha se 25 vitet e fundit e kanë bërë të qartë se Ushtria Federale luan një rol të rëndësishëm në operacionet ndërkombëtare siç është misioni i KFOR-it në Kosovë dhe për këtë arsye është gjithashtu një partner i besueshëm ndërkombëtarisht.
“Për Forcat e Armatosura, pjesëmarrja në misione si ky nuk do të thotë vetëm sigurim i paqes dhe sigurisë, por edhe ndërtimi i një ure midis kombeve të ndryshme dhe kontributi në solidaritetin ndërkombëtar. Operacioni i KFOR-it tregon se një mision paqësor kërkon bashkëpunim të ngushtë në të gjitha nivelet – nga bashkësia ndërkombëtare deri tek ushtarët individualë. Dëshiroj të falënderoj të gjithë ushtarët që u dislokuan ose janë aktualisht të dislokuar dhe po bëjnë shërbimin e tyre për paqen”, thotë ajo përmes një deklarate për media.
Forcat e Armatosura Austriake kanë marrë pjesë në operacionin e KFOR-it që nga 2 korriku 1999. Detyra kryesore e “Forcës së Kosovës” (KFOR) është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. Baza e dislokimit është mandati i Rezolutës 1244 të OKB-së dhe vendimi i Qeverisë Federale në vitin 1999. Dislokimi i paqeruajtësve kryhet nën drejtimin e NATO-s, e cila e ndan Kosovën në zona të përgjegjësisë. Secila prej këtyre zonave menaxhohet nga një “Komb Kryesor”. Aktualisht, rreth 150 ushtarë janë pjesë e “Kontingjentit të 50-të Austriak/Forca e Kosovës” (AUTCON/KFOR) – ata janë të dislokuar në mbarë Kosovën.
Që nga viti 1960, më shumë se 100,000 ushtarë austriakë dhe ndihmës civilë kanë marrë pjesë në mbështetje ndërkombëtare për paqen dhe misione humanitare. Tri misionet më të mëdha të huaja udhëhiqen nga Bashkimi Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë, misioni i KFOR-it në Kosovë dhe misioni i Helmetave Blu të OKB-së në Liban. Aktualisht janë rreth 1500 ushtarë në detyrë në gjithsej 11 misione të huaja.
Policia kërkon bashkëpunim nga qytetarët për identifikimin e...
Bejruti përballet me sulme të vazhdueshme izraelite
Shqipëria e angazhuar për të forcuar sigurinë detare
67 kandidatë kalojnë testin me shkrim për 21 pozita për gjyq...
Mediat ndërkombëtare shkruajnë për ndërprerjen e ndeshjes Ko...
Policia ndalon në Bërnjak një furgon me targa serbe që po tr...