Google ADS

Ushtarët e FSK’së ushtrohen për përballje me kundërshtarët

18:34 | 3 Tetor 2017
Arbresh.info

Ushtarë, tetarë dhe oficerë të Forcave të Sigurisë së Kosovës kanë manovruar nëpër terren ditën dhe natën, duke u përballur me sfida të vështira në mënyrë që të testohet qëndrueshmëria e tyre.

Krejt kjo në kuadër të ushtrimit garues “Shqiponja Patrulluese”(Eagle patroll) ku synohet përgatitja e tyre në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur që të përballen me ekipe partnere.

Skenari ka filluar në pikën e infiltrimit, te liqeni i Batllavës, ndërsa më pas vazhdon edhe në katër pika të tjera duke përfshirë 60 kilometra rrugë, e që ushtari duhet ta bëjë me 35 kilogramë peshë mbi shpinë.

Mirëpo kjo nuk është e gjitha. Në mënyrë që ushtarët të jenë sa më të përgatitur ata gjatë këtij ushtrimi ishin përballur me shumë “kurthe të armiqve” të planifikuara për të matur kualifikimet e tyre.

Zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së Gëzim Hazrolli, ka thënë se prioritet i tyre ka qenë kujdesi maksimal ndaj garuesve në mënyrë që të mos lëndohen.

Ai duke parë nga afër kalitjen e pjesëtarëve dhe gatishmërinë e tyre për t’u përball me sfidat e terrenit, ka përgëzuar punën e suksesshme, stafin planifikues të oficerëve si dhe pjesëtarët e skuadrave garuese, përfshirë edhe ushtarakët britanikë dhe kanadezë për mbështetjen dhënë në realizimin e ushtrimit.

“Jam shumë i sigurt që do të kemi material me çka të merremi, të vlerësojmë, dhe të punojmë që t’i ngrisim aftësitë tona në të ardhmen. Me rëndësi shumë të madhe është që kapiteni e ka prioritet, tentojmë vlerësuesit dhe ata që e asistojnë garën, mos të lejojmë që dikush të na lëndohet… Pa diskutim duhet t’i sfidojmë me pagjumësi dhe me ngarkesën e garës në përgjithësi. Thjesht është një mundësi e jashtëzakonshme që secili prej atyre që janë duke marrë pjesë t’i shtyjë pak kufijtë e vet”, tha Hazrolli.

Ndërkaq këshilltari britanik i komandantit të FSK-së, nënkolonel Gregor Lindsay, të gjitha meritat i ka adresuar ndaj ekipit planifikues të FSK-së.

“Ju falënderuat ndërkombëtarët, por puna më e madhe është bërë nga ekipi planifikues i distrikteve. Do të thotë kredia më së shumti iu takon atyre”, ka thënë ai.

Në terrenet e ushtrimit dhe të zhvillimit të aktivitetit garues të FSK-së, sot ishin për vizitë zëvendëskomandanti i Komandës së Forcës Tokësore, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, ushtruesi i detyrës së komandantit të Brigadës për Reagim të Shpejtë, kolonel Xhevahir Geci, ushtruesi i detyrës së komandantit të Brigadës për Mbështetje Operacionale, kolonel Avdi Rraci, shefi i shtabit të BRSH-së, nënkolonel Ejup Maqedonci, këshilltari ushtarak britanik i komandantit të FSK –së, nënkolonel Gregor Lindsay, pastaj nënkolonel Bashkim Shillova, nënkolonel Ali Krasniqi, si dhe ushtarak ndërkombëtarë të ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s për MFSK dhe FSK (NALT) si dhe oficerë të tjerë të FSK-së.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme