Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, përmes një shkrimi në Facebook i ka reaguar kandidates të LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani.
Në këtë reagim, ministri Ismaili, ndër të tjera, ka thënë se në konventën e LDK-së për shpalosjen e “programit” të tyre për shëndetësi, Vjosa Osmani dëshmoi edhe njëherë që po vazhdon të ndjekë vizionin e Isa Mustafës.
Reagimi i plotë:
Në konventën e LDK-së për shpalosjen e “programit” të tyre për shëndetësi, Vjosa Osmani dëshmoi edhe njëherë që po vazhdon të ndjekë vizionin e Isa Mustafës.
Vjosa Osmani e rikonfirmoi atë që e dimë të gjithë: se është zgjatim i modelit qeverisës së Isa Mustafës, që jo vetëm nuk ofron alternativë për ndryshim, por edhe tenton të zhbëjë progresin që e kemi arritur në shëndetësi.
Ajo foli për shëndetësinë si “sektor ekzistencial për mirëqenien e shtetit tonë”, mirëpo ajo e fsheh faktin se është pikërisht LDK-ja fajtorja kryesore për gjendjen e rëndë në shëndetësi.
Në këtë konventë u tha se “shëndeti është mbi politikën dhe profitin”, por puna e LDK-së dëshmon të kundërtën: se interesat politike dhe leverditë e ngushta ekonomike kanë qenë mbi shëndetin dhe jetët e qytetarëve.
LDK-ja premtoi 200 milionë euro në shëndetësi, por duhet rikujtuar që vite me radhë kjo parti në të njëjtën kohë ka pasur postin e Kryeministrit, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Shëndetësisë, kurse buxheti i ndarë për shëndetësi ka qenë dukshëm më shumë i vogël se sot.
200 milionët i premtoi për pajisje të reja mjekësore. Por Vjosa Osmanit po ia risjellim në mend atë që ajo e di mirë, se LDK pajisjet e reja mjekësore i mban për vite të tëra nëpër depo të Vjenës, duke i lënë qytetarët pa shërbime elementare.
Vjosa Osmani sot publikisht pranoi suksesin e PDK-së në luftën kundër korrupsionit që i shpëtoi Kosovës mbi 12 milionë euro në blerjen e barnave, por me ironi tha se janë kursyer “disa miliona”.
Pra kursimi i dhjetëra milionave për LDK-në është punë e vogël dhe nuk çon peshë. Kjo vërteton se ajo ka të njëjtën shkollë qeverisëse si Isa Mustafa që i ka gjuajtur “disa milona” në çmime abuzive për blerje të barnave.
Kandidatja e Isa Mustafës flet për investim në kapital njerëzor dhe për respektin e saj për mjekë e infermierë, por nuk e ka votuar ngritjen e pagave për ta, duke i shtyrë mjekët e infermierët që të ikin nga Kosova.
Për më tepër, LDK-ja sot premtoi themelimin e Spitalit të Prishtinës dhe digjitalizimin e sistemit shëndetësor. Si çdo herë tjetër, PDK-ja është tre hapa para. Derisa LDK-ja premton, ne veçse kemi filluar realizimin e Spitalit të Prishtinës, si dhe e kemi shtrirë digjitalizimin e sistemit shëndetësor në 24 komuna të Kosovës.
Sesa pak e njeh shëndetësinë Vjosa Osmani, tregon fakti që ajo SHSKUK-së i thotë SHKSKUK dhe me këtë e kompletoi komedinë dhe paradën e sotme të LDK-së. Kaq për personin që mendon që është kandidat për kryeministër, por në fakt është vetëm pretendente e mbështetur dhe e dirigjuar nga Isa Mustafa./arbresh.info
Musk konfirmon funksionalizimin e Starlink-ut në Kosovë R...
Antidroga në Prishtinë gjen një sasi të kokainës dhe një rev...
Starlink në Kosovë, Kurti: Një hap i madh për infrastrukturë...
Kurti dhe Murati mbajnë konferencë për media
Gjuajti disa herë në ajër dhe e hodhi armën nga vetura, arre...
Drita pret Feronikelin ’74, në Suharekë luhet derbi i qyteti...