Autoritetet e Kosovës kanë filluar procedurat për të testuar kapacitetin mbajtës të urës së Ibrit, e cila ndanë Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut, si një hap përpara hapjes së saj për qarkullim të automjeteve.
Mirëpo, hapja e kësaj urë nuk po gjen përkrahje nga partnerët ndërkombëtar dhe vetë miku i Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Si pasojë, kjo çështje nxiti serbët e Kosovës që të protestojnë, duke kundërshtuar hapjen e urës.
Analisti politik, Mazllum Baraliu thotë se Kosova nuk duhet të ngutet në këtë drejtim.
Ai i sheh jo të arsyeshme dhe të padrejta kundërshtimet e bashkësisë ndërkombëtare për hapjen e urës së Ibrit.
“Ura e Ibrit është dashtë të hapet vazhdimisht, dhe nuk është dashtë të mbyllet së pari, por të hapet gjithsesi për arsye se ka marrëveshje, ajo është bërë problem edhe në marrëdhëniet bilaterale dhe problem i dialogut në Bruksel, është bë marrëveshja dhe është realizuar pjesërisht, tani qarkullojnë qytetarët dhe pjesa e automjeteve do të duhej të hapej. Por rrethanat që i kemi në Serbi, presionet e saj, qëllimet, pretendimet e saja destruktive dhe territoriale, por dhe kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare që fatkeqësisht, padrejtësisht po solidarizohet, mendoj se nuk duhet të marrë hapa të ngutshëm dhe të rrezikshëm për ata të cilët mund të jenë fluid mund të jenë të rrëshqitshëm në kuptimin e stabilitetit”, tha ai për Arbresh.info.
Sipas Baraliut, momenti i duhur i hapjes së urës së Ibrit, është atëherë kur arrihet koordinimi dhe bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare.
“Kur arrihet mirëkuptim, dhe koordinim apo bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare e kur vlerësohet se gjendja e sigurisë dhe stabilitetit atje nga organet kompetente të sigurisë dhe agjencisë jo vetëm tonat, por edhe shteteve të cilat kanë ngritur zërin padrejtësisht duke ndërhyrë në punë të brendshme të Kosovës, dhe duke orientuar gabimisht opinionin pra, atëherë kur do të arrihet bashkëpunimi, koordinimi dhe siguria që nuk do të ketë pasoja hapja e urës në aspektin e stabilitetit dhe sigurisë në atë pjesë të vendit”, u shpreh ai.
Tutje, analisti thotë se hapja e urës së Ibrit nuk është detyrë e ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, e as kryeministrit Kurti, por punë e policisë në çështjen e hapjes së urës.
“Nuk është detyrë e ministrit të Punëve të Brendshme të dal dhe të deklaroj, kjo është punë e policisë, dhe policia e ka zëdhënësin e saj, as nuk është punë e kryeministrit, që thotë në mënyrë të pa paracaktuar, që ura do hapet, ajo është e hapur, por do hapet dhe për automjete një ditë, por kur do hapet deri sa thjesht po bëhen pengesa po krijojnë probleme edhe Beogradi dhe bashkësia ndërkombëtare lidhur me këtë çështje “, përfundoi ai.
Hoxha: Ura e Ibrit është dashur të hapet nga viti 2016
Lidhur po me këtë çështje, eksperti i sigurisë Valdet Hoxha, ka thënë se ura e Ibrit është dashur të hapet nga viti 2016 pas marrëveshjes në Bruksel.
“Duhet theksuar se Ura e Ibrit është dashur të hapet së paku që nga viti 2016 pas marrëveshjes në Bruksel dhe kjo edhe ka qenë thirrja edhe e vet BE-se që ura duhet të hapet sa më shpejtë dhe pa pengesa. Në parim edhe tani vlerësojë që në kuptimin praktik ura duhet të hapet sepse lehtëson komunikimin e qytetarëve, qarkullimin e mallrave dhe kthen normalitetin e jetës duke shtuar dhe lehtësuar komunikimin edhe në mes të qytetarëve të komuniteteve të ndryshme dhe se hapja e urës nuk mund të sjellë asnjë rrezik për konflikt në aspektin e sigurisë”, theksoi ai.
Që Kosova mos të ketë pasoja diplomatike, politike e ekonomike, Hoxha tha se vendimin për hapjen e urës së Ibrit, ta koordinojnë me partnerët ndërkombëtarë, vendet e QUINT e po ashtu dhe me KFOR-in.
Tutje, Hoxha shtoi se në këto situata, vendimet e institucioneve duhet të jenë vendime strategjike, që nuk i lëndojnë raportet me partnerët ndërkombëtarë.
“Duhet ta kemi të qartë që shpesh në praktikë, sidomos në situata me specifike siç është veriu i vendit, vendimet e institucioneve pavarësisht legjitimitetit duhet të jenë vendime strategjike që përveç shtrimit të ligjshmërisë dhe sovranitetit të vendit, duhet të jenë vendime që nuk i lëndojnë raportet me partnerët tanë ndërkombëtarë e veçanërisht me SHBA dhe se vetëm duke mbajtur hapur Urat e Komunikimit-koordinimit politik e diplomatik me aleatet, mund ti hapim dhe ti mbajmë hapur urat infrastrukturore gjithandej vendit”, thotë ai.
Sipas tij, deklaratat e kryeministrit Kurti dhe ministrit të Brendshëm Sveçla, do të duhej të ishin në harmoni me peshën e përgjegjësisë institucionale.
“Sa i përket deklarimeve konfirmative të kryeministrit dhe ,ministrit të Punëve të Brendshme se ura do të hapet shumë shpejtë, përveç që ata do duhej të ishin në koordinim ditor me QUINTIN dhe KFOR-in, do duhej që deklarimet e tyre të jenë ne harmoni me peshën e përgjegjësisë institucionale sepse eventualisht tërheqja nga këto deklarime apo dështimi për të hapur urën, përveç që do i sjellë vetëm dëme Kosovës, kjo pastaj mund të perceptohet nga qytetarët si deklarime populliste në funksion të fushatës zgjedhore dhe do vazhdojë të humbë besimi dhe mbështetja qytetare ndaj institucioneve të Republikës”, përfundoi ai.
Berisha: PDK mbështet hapjen e urës së Ibrit
Deputeti i Partisë Demokratike së Kosovës (PDK), Hisen Berisha ka thënë se e mbështet hapjen e urës.
Mbështetja për hapjen e Urës së Ibrit, sipas tij, është e kuptueshme dhe e drejtë.
“Personalisht, e mbështes hapjen e urës si për këmbësorët ashtu edhe për mjetet e transportit, për të lejuar qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve, ashtu si në urat e tjera mbi Lumin Ibër. Mbyllja e Urës së Ibrit përbën një pengesë për lëvizjen e lirë dhe integrimin e komuniteteve. Hapja e kësaj ure është një hap i domosdoshëm për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe për të forcuar kohezionin shoqëror dhe ekonomik midis dy pjesëve të qytetit, duke respektuar parimet e BE-së, MCA-së dhe Procesit të Berlinit”, theksoi Berisha për Arbresh.info.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të jetë e gatshme të marrë masa të nevojshme për të parandaluar çdo incident.
“Është e rëndësishme që qeveria e Kosovës të bashkëpunojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për t’i bindur ata se ky hap është në interesin e përgjithshëm të stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Kjo kërkon përgatitje të duhur dhe garanci që qeveria është e gatshme të marrë masat e nevojshme për të parandaluar çdo incident apo tension që mund të lindë”, u shpreh ai.
Ai nuk sheh asnjë rrezik nga hapja e kësaj ure.
“Qytetarët e dinë që Veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës dhe mbrohet nga Kushtetuta dhe Forcat e Armatosura të rendit dhe ligjit të Kosovës, si dhe nga EULEX dhe KFOR-i me mandat të KS/OKB për të garantuar një ambient të sigurt dhe pacenueshmëri të kufijve. Megjithëse Zëvendës Komandanti Rajonal i Policisë së Kosovës në Veriun e Mitrovicës, deklaroi se Veriun e kërcënojnë strukturat paralele që ekzistojnë atje, kjo nënkupton se strukturat paralele nuk janë shuar dhe se propaganda e qeverisë se “veriu është i qetë dhe se janë zhdukur strukturat kriminale”, është e pavërtetë. Kjo mund të çojë në revolta nga komuniteti serb i margjinalizuar nga Beogradi dhe Lista Serbe”, u shpreh ai.
Deputeti shton se duhet bindur partnerët ndërkombëtarë për qëllime paqësore.
“Nuk duhet lejuar që asnjë pjesë e Kosovës të kthehet në geto dhe të funksionoj jashtë vlerave universale të lirisë. Shtrirja e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës është një imperativ që mbështetet nga i gjithë spektri politik dhe qytetarët. Për këtë qëllim paqësor dhe të ligjshëm, duhet bindur edhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, thotë ai.
Deputeti Berisha thotë se hapat e ngutshëm janë si pasojë se jemi në prag të zgjedhjeve, e që sipas tij po bëhen për qëllime elektorale.
“Nëse kryeministri Kurti dhe ministrat e tij, që po defilojnë nëpër Veri, bëjnë hapa të pa maturuar me PUN dhe QUINT, atëherë fatkeqësisht mund të konkludohet se po nxitojnë ta hapin urën për shkak se jemi në prag të zgjedhjeve, pra për qëllime elektorale, për të forcuar mbështetjen politike duke rritur nacionalizmin e populizmin për të ruajtur votën, siç ndodhi me parakalimet me makina dhe flamuj të shtetit shqiptar në ditën kritike, e kjo do të jetë një sinjal jo i mirë për mbështetjen ndërkombëtare të procesit politik”, theksoi Berisha.
Ai shton se hapja e urës së Ibrit nuk duhet të jetë një strategji elektorale.
Berisha, shton se partnerët ndërkombëtarë në Kosovë e kanë bërë të ditur hapat që duhen ndjekur për të arritur një qëllim final.
“Ura nuk ka pse të jetë pjesë e dialogut! Ashtu siç nuk është dashur që shumë çështje të tjera teknike të brendshme të shtetit të bëhen tema të dialogut e negociatave me Serbinë, të cilat kjo qeveri tashmë i ka dërguar atje me veprime e vendime politike të pa harmonizuara me partnerët, me theks të veçantë aleatin tonë kryesor SHBA. Partnerët ndërkombëtarë në Kosovë, përmes Ambasadorit fuqiplotë të SHBA në vendin tonë, ashtu si edhe më parë për çdo temë, e kanë bërë të ditur qëndrimin amerikan dhe hapat që duhen ndjekur për të arritur qëllimin final të Kosovës”, thotë ai ndër të tjerat.
Ndryshe, në fillim të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut kishte miratuar një vendim për hapjen e urës së Ibrit. Ky vendim ishte bazuar në Marrëveshjen e Brukselit, që parashikonte hapjen e urës në vitet 2015-2016.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ditë më parë tha se hapja e urës është çështje që është mbyllur në vitin 2016.
Më 8 korrik u zhvillua një diskutim publik nga Komuna e Mitrovicës së Veriut me qytetarët për “përfitimet nga hapja e urës”.
Ky diskutim është mbajtur në hapësirat e Kuvendit Komunal, mirëpo pjesëmarrës në debat ishin një numër i vogël i qytetarëve serbë dhe shumica e të pranishmëve ishin asamblistë komunalë, përfaqësues të OSBE-së dhe mediave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në korrik bëri të ditur synimin për hapjen e urës.
Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment, ndërsa misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë./Arbresh.info/ Rita Jakupi/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...