UP-ja hap konkursin për pranimin e studentëve në master

09:11 | 21 Shtator 2018
M. A.

Konkursi për pranimin e studentëve të rinj në nivelin master në Universitetin e Prishtinës, do të hapet sot me 21 shtator dhe do të jetë i hapur deri me datë 28 shtator. Në këtë afat do të pranohen 2 mijë e 254 studentë në të gjitha njësitë akademike. Kriteret për pranimin e studentëve në nivelin master do të jenë të ngjashme me ato të vitit të kaluar.

Sekretari i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi, tha për Radio Kosovën, se janë bërë përgatitjet për pranimin e studentëve në nivelin master, dhe pranimi do të bëhet sipas kritereve të parapara, ku numri me i madh i pikëve do të jenë nga provimi pranues.

“ Ditën e premte shpallet konkursi, datë 21, dhe do të jetë i hapur deri me datë 28 të këtij muaji. Parashihet të pranohen 2 mijë e 254 studentë. Në të gjitha njësitë akademike do të ketë konkurse. Programet janë të specifikuara në të gjitha ato programe që janë të akredituara. Kushtet nuk kanë ndryshuar nga viti i kaluar”, tha ai.

Po ashtu, Kelmendi bëri të ditur se Universiteti i Prishtinës në nivelin master do të ketë numër të kufizuar të studentëve, krahasuar me kërkesat, por universiteti duhet t’u përmbahet kritereve të përcaktuara nga Agjencia e Akreditimit.

“ Sigurisht edhe këtë vit është numri i vogël në raport me të interesuarit për t’u regjistruara në programet master. Mirëpo, këto janë mundësitë e universitetit dhe kryesisht jemi bazuar në vendimet e Agjencisë së Akreditimit, të cilat e kanë përkufizuar numrin e studentëve”, tha ai.

Kandidatët për pranim në Universitetin e Prishtinës, nuk mund të konkurrojnë më shumë se në një fakultet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme