Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ishte furnizuar me pajisje sportive nga një kompani që nuk ka pasur referenca për furnizime të ngjashme në të kaluarën.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se vitin e kaluar UP-ja kishte dhënë tenderin me vlerë 29 mijë e 700 euro një operatori ekonomik që nuk ka ofruar dëshmi për furnizime të ngjashme në të kaluarën, megjithëse ky ishte kriter për përzgjedhje.
Sipas auditorit, furnizimi pastaj ishte refuzuar nga Universiteti i Prishtinës për arsye se pajisjet sportive nuk i plotësonin kushtet e kërkuara me kontratë.
“Përveç tjerash furnizimi me këto pajisje nuk është bërë, për shkak se Operatori ekoomik i ka liferuar pajisjet, mirëpo komisioni i pranimit ka vlerësuar se ato nuk përputhen me specifikat e cekura në kontratë”, thuhet në raportin e auditorit.
Auditori refuzimin e këtyre pajisjeve nga UP-ja e lidh me mosplotësimin e kritereve nga operatori të cilit iu dha kontrata.
“Përzgjedhja e operatorëve ekonomikë të cilët nuk i përmbushin kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit, rrit rrezikun që operatorët të mos mund t’i ofrojnë furnizimet/shërbimet konform specifikacioneve teknike të kërkuara për qëllimin e kontratës”, vijon raporti i auditorit për UP-në.
Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin e kaluar ka gjetur se dy kontrata UP-ja i ka nënshkruar pa deklarimin se sa fonde ka për to.
Sipas ZKA-së, tenderët me vlera 25 mijë dhe 43 mijë e 226 euro janë nënshkruar pa u realizuar deklarimi i nevojave dhe disponueshmërisë së fondeve që parashihet me udhëzimin për prokurimin publik.
Këtë ZKA-ja e konsideron të rrezikshme.
“Ne kemi vërejtur se tek lëndët ‘Furnizim me Pajisje Laboratorike’ me vlerë 25,000€ dhe ‘Furnizim me Material Harxhues Laboratorik’ me vlerë 43,226€, Deklarimi i Nevojave dhe Përcaktimi i Disponueshmërisë së Fondeve (DNPDF) ishte nënshkruar pas inicimit të procedurës së prokurimit. Inicimi i procedurave të prokurimit në mungesë të DNPDF-së rrit rrezikun që universiteti të hyjë në obligime në mungesë të fondeve të mjaftueshme”, raporton ZKA-ja.
Gjithashtu, auditori ka gjetur se UP ka bërë shkelje të rregullave të prokurimit duke mos caktuar menaxherë të kontratave.
Për kontratat ‘Rregullimi i Kulmit të Bibliotekës Universitare’ me vlerë 105,710€ dhe ‘Renovimi i Platosë -llot 1’ me vlerë 72,205€, nuk ishin caktuar menaxherët e kontratave dhe nuk ishin hartuar planet për menaxhimin e kontratave. Kjo është kërkesë e rregullave të prokurimit. Kjo mund të sjellë vështirësi në zbatimin e projekteve dhe devijime potenciale nga kontrata e paraparë”, sugjeron auditori.
MST: Pagesa të tepërta të profesorëve në dëm të buxhetit
Zyra Kombëtare e Auditimit rekomandon ndërprerjen e pagesave të profesorëve për çdo provim të paraqitur nga studentët.
Sipas auditorit, pagesa prej 60 centësh për çdo student që paraqet provimin shkakton dëmtim të buxhetit meqenëse studentët nuk paguajnë për paraqitjen e provimeve.
“Sipas udhëzimeve aktuale në fuqi, studentët e nivelit bachelor nuk paguajnë fare për paraqitje të provimit dhe studentët në nivelin master për çdo provim të paraqitur paguajnë nga 2.5€. Kjo do të thotë se të hyrat e siguruara nga paraqitja e provimeve nuk i mbulojnë shpenzimet për kompensimin e profesorëve”, thuhet në raportin e auditimit.
ZKA-ja sugjeron që kjo rregullore të përshtatet në bazë të mundësive buxhetore dhe nevojave që ekzistojnë për bërjen e këtyre pagesave.
“Mbajtja e provimeve do të duhej të jetë pjesë e pandashme e detyrave të punës për të cilën profesorët e marrin pagën bazë dhe eventualisht honorarët. Kompensimi i profesorëve për provime, shkakton kosto të panevojshme për UP-në dhe mund të sjellë vështirësi financiare. Duhet të shikohen mundësitë rreth rishikimit të rregullores së lartcekur, në mënyrë që ajo të përshtatet me rrethanat aktuale dhe me mundësitë buxhetore”, rekomandon auditori.
Përveç kësaj, ZKA-ja ka gjetur 25 raste ku profesorët janë angazhuar duke tejkaluar normën e orëve të lejuara në kundërshtim me rregulloren e brendshme.
“Rregullorja e Brendshme për të Ardhura Personale në UP përcakton qartë se personeli akademik në marrëdhënie të rregullt pune në universitet mund të angazhohet me mbi-normë deri në pesë (5) orë në javë, përjashtimisht në Fakultetin e Arteve, deri në katër (4) orë në javë. Nga 93 mostrat e testuara ne kemi vërejtur se në 25 raste kontratat e profesorëve ishin me nga gjashtë (6) orë mbi normë, duke tejkaluar mbi-normën e lejuar”, thuhet në raportin e auditorit.
Ndërkaq ka pasur raste kur profesorët janë paguar megjithëse nuk kanë mbajtur orët e parapara.
“Ne kemi vërejtur se në tetë (8) raste, edhe pse nuk është mbajtur norma e plotë e orëve dhe orëve mbi normë, pagesa është bërë e plotë sipas angazhimit-kontratës, edhe pse rregullorja e precizon që mosmbajtja e orëve duhet të penalizohet me heqje të pjesshme të pagës”, konstaton auditori.
Disa nga rekomandimet tjera të auditorit janë edhe shënimi i saktë i listave të evidencës për mbajtjen e orëve që janë dëshmi edhe për pagesën e profesorëve.
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...
Ukraina thotë se goditi një depo nafte dhe objektiva të tjer...
Lushtaku viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen ...