Shtetet kundërshtare të pavarësisë së Kosovës janë duke synuar që të ruajnë ndikimin e tyre përmes UNMIK-ut në Kosovë. Pikërisht për këtë shkak Rusia dhe ambasadori kinez në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit kanë ngritur këtë çështje duke kërkuar ruajtjen e misioneve të OKB-së, në Kosovë në format ekzistues, shkruan arbresh.info.
Mirëpo qëndrim tjetër kanë shprehur përfaqësuesit e Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe ShBA-së e të cilët kanë kërkuar heqjen apo ridefinimin e UNMIK-ut.
Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, Burim Ramadani thotë për arbresh.info se synimi i shteteve kundërshtuese ndaj pavarësisë së Kosovës është të ruajnë ndikimin e tyre përmes misionit të UNMIK-ut.
“Qartësisht, shtetet kundërshtare të pavarësisë së Kosovës synojnë të ruajnë ndikimin e vet përmes UNMIK-ut. Ky është një synim që shkon në kundërshtim me shtetësinë e Kosovës dhe me subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Shteti i Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të përfaqësohet nga UNMIK-u, sepse ky mision nuk ka as administrim, as përfaqësim, as ndikim dhe as vendimmarrje në Kosovë”, ka thënë Ramadani.
Ndërsa duke komentuar qëndrimin e shteteve pro Kosovës ka thënë se SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, synojnë zhvillimin e shtetësisë dhe subjektivitetit të Kosovës.
Ramadani ka shtuar se prania e UNMIK-ut në Kosovë është e panevojshme.
“Kosova, si shtet, tashmë më shumë se 9 vjet nuk administrohet nga UNMIK-u, prandaj UNMIK-u është i panevojshëm në Kosovë. UNMIK-u është vetëm shpenzues i parave të shteteve anëtare të OKB-së, por nuk ka fare rol në Kosovë”, ka thënë ai.
Kurse anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Zafir Berisha mision të tepruar e ka quajtur UNMIK-un në Kosovë duke thënë se është mision pa ndonjë efekt dhe vetëm shpenzues i fondeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Unë mendoj se UNMIK-u tashmë në Kosovë është mision i tepruar, qëndrimi i tyre në Kosovë mendoj se është pa ndonjë efekt vetëm shpenzim i fondeve të OKB-së, asgjë më tepër ose ndoshta ndonjë ndërmjetësues midis informacioneve në institucionet e Kosovës në raport me shtetet mike të Serbisë të cilat ende nuk e njohin realitetin e ri në Kosovë”, ka thënë ai.
Berisha madje edhe prezencën e EULEX-it në Kosovë e ka quajtur të tepërt.
“Qëndroj në atë që UNMIK-u, është mision pa ndonjë vlerë dhe unë shpresoj që institucionet e Kosovës nuk kanë ndonjë arsye të cilit do nivel të institucionit nuk ka ndonjë arsye me bashkëpunu me këtë mision koti që vazhdon të qëndrojë në Kosovë. Kosova nga 2008 është shtet i pavarur ka një mision evropian që quhet EULEX i cili për mendimin tim personal edhe ai është i tepërt dhe gjithsesi unë mendoj që institucionet e Kosovës duhet të monitorohen nga faktori ndërkombëtar por jo edhe të jenë në organet vendimmarrëse për cilin do natyrë të angazhimeve të tyre në Kosovë”, ka pohuar ai për arbresh.info.
Sipas tij Ballkani vazhdon të jetë pre e ndikimeve politike të super fuqive të botës dhe Kosova për fat të mirë apo të keq ka qëlluar aty ku është kryqëzimi i politikave të interesave globale.
Arbresh.info për misionin e UNMIK-ut, në Kosovë saktësisht për deklaratat e shteteve kundërshtuese dhe atyre pro të pavarësisë së Kosovës të bëra në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ka kërkuar përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës por ata nuk i janë përgjigjur portalit./J.Zhuniqi/arbresh.info/
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 800 gjoba trafiku për 24 orë
Kandidati prorus prin në zgjedhjet presidenciale në Rumani
Osmani udhëtoi për vizitë pune në Kolumbi
Kumbaro ndan pamje nga pazari i Gjirokastrës nën atmosferën ...
Vdekja e një punëtori në Prizren, arrestohen tre menaxherët ...
Pacolli uron një javë të mbarë: Qofshi gjithmonë të lumtur d...