Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh iu bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe më aktive në Dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Këtë deklaratë ajo e bëri në fjalimin e saj të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shkruan arbresh.info
“Përderisa ky proces ka arritur rezultate domethënëse për çështje të ndryshme praktike, deri më tani, normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve në mes të dy palëve vazhdon të jetë i paarritshëm,” PSSP Ziadeh tha, në shënimin e 9-vjetorit të Marrëveshjes së Parë të Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve. Pajtimi dhe adresimi i shqetësimeve nga e kaluara duhet të shërbejnë për përforcimin e përpjekjeve për arritjen e qëllimeve të rëndësishme strategjike,” shtoi ajo.
Duke përmendur gjendjen në Ukrainë dhe ndikimin e saj të vazhdueshëm në sigurinë dhe ekonominë në Evropë, Ziadeh ritheksoi se qëndrueshmëria e institucioneve demokratike në mbarë Ballkanin është faktor kyq për një Evropë të sigurt dhe demokratike.
Ajo tha që edhe para këtyre zhvillimeve, ekonomia e Kosovës kishte pësuar goditje, duke theksuar ndikimin e pandemisë COVID-19 në mirëqenien e rajonit.
“Në këtë kontekst, bëhet edhe më urgjente gjetja e mënyrave praktike të bashkëpunimit ekonomik në mes Beogradit, Prishtinës dhe të gjithë fqinjëve në rajon,” PSSP Ziadeh tha.
Thirrja e saj për bashkëpunim vjen pak kohë pas zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi. Shefja e UNMIK-ut përshëndeti procesin e mbresëlënës dhe paqësor – me përkrahje nga të dyja palët – me ç’rast 19,000 votues hodhën votat e tyre në qendra të veçanta të votimit në Serbi, edhe pse, fatkeqësisht, nuk u arrit zgjidhja për t’iu mundësuar pjesëmarrje në Kosovë.
Pas raportimeve të kohëve të fundit për sulme kundër Policisë së Kosovës, ajo bëri thirrje për dënim të përbashkët dhe veprime të shpejta për t’i sjellë përgjegjësit e këtyre veprimeve para drejtësisë. Ajo poashtu inkurajoi Prishtinën dhe Beogradin të gjejnë zgjidhje të përherhshme për targat dhe energjinë.
Në rrethanat aktuale aq të ndërlikuara, Ziadeh u bëri thirrje udhëheqësve që të jenë të matur në veprimet dhe retorikën e tyre politike.
PSSP Ziadeh poashtu theksoi se UNMIK-u nuk është as pengesë as forcë shtytëse për rezultatin përfundimtar të preferuar nga njëra apo pala tjetër. Ajo spjegoi se Misioni e vazhdon trashëgiminë e përkrahjes institucionale, duke punuar në sinergji me familjen e agjencive, fondeve dhe programeve të OKB-së, për të siguruar kushte për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës.
“UNMIK-u vazhdon të mbetet qendër e njohurive, përvojave dhe ekspertizave relevante … duke përkrahur një shoqëri aktive civile, promovuar masa të reja për ta ndihmuar Kosovën në forcimin e rendit dhe ligjit, duke kontribuar në fuqizimin e grave dhe rinisë, duke ofruar ekspertizë dhe përkrahje për mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut: të gjitha këto do të mbeten prioritete kryesore,” PSSP Ziadeh tha./arbresh.info/
Izraeli arreston 240 palestinezë, përfshirë mjekë pas bastis...
Rizvanolli i quan “gënjeshtra” pretendimet se pajisjet efiçi...
Inter e mbyll me stilin vitin 2024 – mposht me rezultat komo...
Këmbësori goditet nga vetura te Bill Clintoni në Prishtinë
KOSTT: Rikthehet furnizimi me rrymë në Gjilan
Rriten rastet e norovirusit në ShBA