Universitetit të Prishtinës i vazhdohet akreditimi edhe për 5 vjet

13:58 | 30 Qershor 2020
Arbresh.info

Në mbledhjen e datës 25 qershor 2020, Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Republikës së Kosovës ka analizuar dhe votuar raportet e ekspertëve ndërkombëtarë mbi vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë. Sipas votimit të KShC-së, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është riakredituar për 5 vjetët e ardhshëm.

Ndonëse e konsideron si vendim të pritur, rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, shprehet i lumtur që UP-ja ka marrë vlerësim të lartë nga ekspertët ndërkombëtarë dhe është votuar për akreditimin e tij edhe për gjysmë dekade. Për këtë vendim të rëndësishëm, Dema uron studentët, stafin dhe të gjithë qytetarët.

“I gëzohem shumë vendimit të KShC-së, për riakreditimin e UP-së edhe për 5 vjet. Ashtu si vendimi, edhe vlerësimi në detaje i performancës së UP-së, kanë konstatuar që UP-ja ka shënuar përparime të mëdha dhe vazhdon të jetë institucion lider i arsimit të lartë. Me këtë rast, përzemërsisht i uroj studentët, profesorët, stafin akademik dhe gjithë qytetarët e këtij vendi, sepse Universiteti i Prishtinës është i të gjithëve,” theksoi rektori Dema. Përveç urimeve, rektori Dema falënderoi stafin akademik dhe administrativ, menaxhmentet e fakulteteve, studentët dhe partnerët për punën e palodhshme të bërë për ngritjen e cilësisë së institucionit, si dhe akreditimin e tij në veçanti.Procesi i vlerësimit institucional nga ekspertët ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës është zhvilluar në maj të këtij viti, duke qenë njëherësh i pari institucion vendor i vlerësuar përmes një procesi të mbajtur tërësisht online. Për riakreditimin e UP-së, ekspertët kanë mbajtur takime dhe e kanë vlerësuar institucionin në nivele të ndryshme, duke filluar nga ai menaxherial, akademik dhe administrativ, si dhe nivelin e studentëve./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme