Google ADS

Universitetin e Prishtinës po e braktisin studentët

15:56 | 19 Nëntor 2019
Arbresh.info

“Hasan Prishtina”, nuk është më synim i maturantëve në Kosovë.

Dëshira që të rinjve të marrin diplomë nga Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina” këtë vit ka rënë dukshëm. Mbi 4 mijë studentë më pak kanë aplikuar sivjet krahasuar me vitin 2018/2019, shkruan Gazeta inFokus.

Në bazë te të dhënave që Gazeta inFokus ka marrë nga UP-ja, për vitin akademikë 2019/2020 kanë aplikuar 11 mije 192 të rijnë. Ndërsa në vitin 2018/2019 numri i të interesuarve për të qenë pjesë e UP-së ka qenë 15 mijë e 500.

Sipas këtyre të dhënave numri i maturantëve ka rënë për fakultetin e Filologjisë, Shkencave Matematiko- Natyrore, Juridikut, Bujqësisë, Edukimi , si dhe Edukimit Fizik dhe Sportiv.

Arsyet ende nuk dihen saktë, por disa e lidhin me largimin e të rinjve nga Kosova e disa me cilësinë e studimeve që ofron UP-ja.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, vlerëson se mosinteresim i të rinjve nuk ka të bëjë me largimin e tyre nga Kosova.

“Reduktimi i numrit të të interesuarve për Universitetin Publik të Prishtinës është jo domosdoshmërish i ndërlidhur me ndonjë lëvizje demografike në numër të nxënësve maturantët, rikujtoj që dallimi në të diplomuar nga viti paraprak është diku rreth 1,400 të diplomuar më pak nga shkollat e mesme, që nuk do të duhej të kishte këtë impakt në numër të të interesuarve”, ka thënë ai për Gazetën inFokus.

Por sipas tij studentët kosovarë janë vetëdijesuar që Universiteti i Prishtinës më nuk ofron cilësi në disa profile.

“Mos interesimi për universitet të Prishtinës në vlerësimin më shumë është i ndërlidhur me një vetëdijesim të studentëve për cilësinë në studime dhe përftimin nga profile përkatëse që nuk ofrohen nga Universiteti i Prishtinës”, ka thënë Qehaja.

Mirëpo, sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Dugagjin Pupovci për këtë ulje të interesimit të maturanteve për të qene pjesë e UP-së duhet të bëhet një analizë nëse maturante janë regjistruar në institucionet tjera publike dhe private ose kanë hequr dorë krejtësisht nga studimet.

“Këtë vit numri i maturantëve ka qenë po aq sa në vitin e kaluar, ndërkaq tri universitete publike (i Pejës, i Prizrenit dhe i Mitrovicës) nuk kanë regjistruar studentë të rinj. Prandaj, është pritur që interesimi për regjistrim në UP do të jetë më i madh. Duhet një analizë më e thelluar për ta kuptuar nëse këta maturantë janë regjistruar në institucionet tjera publike dhe private ose kanë hequr dorë krejtësisht nga studimet”, ka thënë Pupovci për Gazetën inFokus.

E përveç uljes se interesimit, në UP kemi edhe një numër të madh të vendeve të lira të cilat mbesin pa u plotësuar.

Sipas këtyre të dhënave të siguruar nga Universiteti i Prishtinës, nga 7 mijë 530 studentë sa kanë qenë të paraparë të pranohen, mbi 2 mijë vende kanë mbetur të lira.

Nga mbi 11 mijë sa kanë aplikuar vetëm rreth 5 mije 400 kanë arritur të jenë pjesë e UP-së.

Sipas Rinor Qehajës kjo diferencë tregon një shpërputhje të profileve të ofruara nga UP karshi interesimit të studenteve.

“Diferenca si e tillë tregon për një shpërputhje të profileve të ofruara nga Universiteti i Prishtinës karshi interesimit të studentëve. Për shumë profile tashmë nuk ka kapacitet absorbues në treg të punës, për çka, besoj, tashmë edhe studentët janë të vetëdijesuar. Për shumë tjera, bie fjala, ato të shkencave natyrore, studentët nuk shohin ndonjë përfitim që u garanton punësim”, ka thënë Qehaja.

Universiteti i Prishtinës sipas tij duhet të rishikoj programet e studimeve që i ofron, atraktivitetin e tyre dhe përputhshmërinë me tregun e punës, në mënyrë që të jetë konkurrues.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme