UNICEF në përmbyllje të Activate Talks i fton të rinjtë që të guxojnë të ëndërrojnë përtej barrierave

16:16 | 24 Shtator 2019
Arbresh.info

Zyra e UNICEF në Kosovë ka përmbyllur sot me sukses edicionin e dytë të “Activate Talks”, për këtë vit. Në këtë edicioni, që u mbajt sot në Cineplexx Prishtina në Albi Mall, u trajtua tema “Tejkalimi i kufijve”, me qëllim të ngritjës së zërit të përbashkët për problemet e shoqërisë sonë dhe gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta për to përmes të rinjve.

Afro 400 të rinj morën pjesë në këtë aktivitet, që është ndër ngjarjet më të mëdha që UNICEF në Kosovë organizon me të rinjtë në Kosovë. Në këtë aktivitet u prezantuan edhe mbi 20 projekte të të rinjve që janë mbështetur nga UNICEF, dhe kanë shërbyer në të mirë të komunitetit në komunat si: Prishtinë, Prizren, Gjakovë, dhe Gjilan. Projekte këto të mbështetura dhe mentoruara nga programet e UNICEF dhe UNICEF Innovation Lab, në partneritet me Ipko Foundation si: Upshift, Podium, StartUp dhe Ponder.
Shefi i zyrës së UNICEF, Murat Sahin gjatë fjalimit të tij hyrës në aktivitet tha se të gjithë duhet të bëhen vetja e tyre dhe të punojnë për realizimin e ëndërrave të tyre.
Në “Activate Talks” u lansua edhe për herë të parë video e Rita Orës realizuar në Kosovë gjatë vizitës që ajo ka pasur në prill të këtij viti përgjatë edicionit të kaluar të Activate Talk.
Murat Sahin, shefi i zyrës së UNICEF tha se të gjithë mund të jenë “Rita Ora dhe Uta Ibrahimi” dhe arrijnë ëndërrat e tyre dhe këtë mesazh do ta përqoj edhe “Activate Talks”. “Vetëm bëhu vetja, ëndërro dhe ne do të sigurohemi të ju dëgjojmë dhe të ofrojmë mundësi dhe mbështetje, në mënyrë që të gjithë të mund të bëheni Janis, Uta, dhe Rita në të ardhmen”, tha Sahin.
Mysafir special të këtij aktiviteti ishte Janis McDavid, folës motivues me aftësi të kufizuar që përqoj mesazhe të fuqishme në audiencë për atë se si, secili, pavarësisht situatës së tij apo të saj duhet të shikojë përpara dhe të jetojë jetën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Mysafirë tjerë që folën para të rinjve ishte alpinistja Uta Ibrahimi, e cila foli për përvojën e saj në ngjitjen e maleve, dhe inspiroi të rinjtë për të ndjekur ëndërrat e tyre.
Po ashtu u mbajt një panel diskutimi për rolin e sektorit privat në shoqëritë gjithpërfshirëse, ku një fjalë rasti dhe përspektivën e tyre e dhanë drejtori i IPKO-s, Robert Erzin, drejtori i Gjirafës, Mërgim Cahani si dhe koordinatorja për zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson.
Ndërsa nga grupi i të rinjve rrëfimet dhe projektet e tyre i ndanë Meriton Binakaj dhe Besfort Golaj nga projekti “Për ty” nga Gjakova; Erta Rashiqi nga projekti “Hajde shoqnohemi” nga Gjilani, Edita Rexha nga “Go Girl” të Prizrenit, Dion Deva nga “Te Pema”, Englantina Avdiu nga “3DX”, Selamiu nga EcoBags, si dhe përfaqësues të TechDummy.
UNICEF-i në Kosovë falënderon të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre në fuqizimin e të rinjve, partnrët si Ipko Foundation, dhe donatorët Austrian Development Agency dhe ING për përkrahjen e vazhdueshme që kanë dhënë për të rinjtë. Po ashtu falenderojmë Cineplexx Kosova dhe Albi Mall për hapësirën e ofruar. Si dhe mediat për mbulimin e kësaj ngjarje dhe transmetimit të mesazhit që të gjithë janë të barabartë dhe duhet të kenë hapësirë dhe qasje të barabartë për zhvillim në shoqëri./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme