UNICEF-i ka filluar shpërndarjen e 5,000 pakove të arsimit parashkollor për familjet në nevojë.
Sipas UNICEF këto materiale didaktike janë të dedikuara për fëmijët e moshave 0-6 vjeç në familjet më të cenueshme.
“73% e këtyre pakove do t’iu shpërndahen familjeve në Skemën e Ndihmës Sociale ndërsa 23% do t’i arrijnë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, thuhet në komunikatën e UNICEF.
UNICEF-i në Kosovë tutje thotë se është i përkushtuar të kontribuojë në përkrahjen e familjeve, sidomos atyre në nevojë, për të ofruar më të mirën për fëmijët në vitet e tyre të hershme të jetës.
Komunikata e plotë:
Komunikimi dhe bashkëveprimi me prindërit, kujdestarët dhe fëmijët me informacione dhe këshilla të bazuara në dëshmi është esenciale sidomos gjatë pandemisë COVID-19. Në kohë të situatave të papritura, shërbimet për mbështetjen e fëmijëve të vegjël përfundojnë të anashkaluara. Burimet tashmë të pakta me gjasë do të drejtohen drejt reagimit ndaj pandemisë. Sot, ne po fillojmë shpërndarjen e 5,000 pakove të arsimit parashkollor për familjet në nevojë. Këto materiale didaktike janë të dedikuara për fëmijët e moshave 0-6 vjeç në familjet më të cenueshme. 73% e këtyre pakove do t’iu shpërndahen familjeve në Skemën e Ndihmës Sociale ndërsa 23% do t’i arrijnë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Të gjitha materialet në pako do t’i përkrahin familjet dhe fëmijët në zbatimin e aktiviteteve të përditshme zhvillimore të cilat ofrohen në platformën e Mësimit në Distancë (https://edukimihershem.rks-gov.net/), të vendosur nga Ministria e Arsimit në Bashkëpunimit me UNICEF-in dhe partnerët.
Krahas materialeve didaktike, alpinistja Uta Ibrahimi po shpërndan edhe librin e saj për ngjyrosje “Uta e maleve” si pjesë e projektit të edukimit të hershëm “URRA, të mbështetur nga UNICEF.
Ministri i Arsimit në Kosovë, Z. Ramë Likaj tha se përmes kësaj mbështetjeje, fëmijët që janë në nevojë do të arrihen dhe do të pajisen me materiale arsimore për të arritur potencialin e tyre të plotë, por gjithashtu prindërit do të mbështeten të angazhohen me ta duke përdorur platformën elektronike për edukimin e hershëm të fëmijës, të krijuar nga Ministria e Arsimit me mbështetjen e UNICEF. “Ne po japim shembuj se çdo fëmijë mund të jetë një Uta Ibrahimi ose Rita Ora, nëse punojmë shumë për t’i bërë ëndrrat e tyre realitet”, tha ai.
Vetë Uta shprehu gatishmërinë e saj për të mbështetur fëmijët në nevojë dhe për t’i vizituar ata për t’i inkurajuar përmes tregimeve të saj për të arritur ëndrrat dhe për të punuar shumë për t’i arritur ato. “Unë dua t’u tregoj atyre se gjithçka është e mundur nëse punojnë për t’i bërë të mundur”, tha ajo.
Para pandemisë COVID-19, Kosova shënoi qasjen më të ulët në arsimin parashkollor në Evropë, ku vetëm 14 për qind e fëmijëve të moshës 3-5 vjeç ndjekin një program arsimor në fëmijëri të hershme, duke lënë një pjesë të madhe të fëmijëve të kësaj moshe të privuar nga programet e të mësuarit të hershëm. Më shumë se gjysma e fëmijëve nën moshën 5 vjeçare në Kosovë nuk kanë libra për fëmijë në shtëpi dhe vetëm 42 për qind e nënave dhe 6 për qind e baballarëve angazhohen në ndonjë aktivitet mësimor me fëmijët në shtëpi. Poashtu, përhapja e pandemisë COVID-19 ka penguar proceset arsimore, duke i penguar rëndë mundësitë e fëmijëve për zhvillim dhe mësim.
Z. Mitsunori Ogasaëara, i ngarkuar me punë i Qeverisë së Japonisë në Kosovë tha se “edukimi është shumë i rëndësishëm, veçanërisht gjatë kësaj kohe kur të dy, prindërit dhe fëmijët, po qëndrojnë kryesisht brenda për shkak të pandemisë”.
“Roli i familjes është në rritje, dhe këto materiale do të ndihmojnë prindërit të kenë një qasje më pozitive dhe edukative ndaj fëmijëve të tyre, të luajnë me ta dhe të kalojnë një kohë më të lumtur së bashku. Ne jemi shumë mirënjohës për bashkëpunimin me UNICEF dhe institucionet publike dhe mezi pres të vizitoj familjet që do të përfitojnë nga këto pako ”, tha z. Mitsunori.
Ndërsa drejtori i Departamentit për Politika Sociale në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Mentor Morina tha se “Ministria ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me UNICEF kur bëhet fjalë për të mbrojtur dhe mbështetur grupet e margjinalizuara. “Ndihma që UNICEF po ofron është thelbësore për ne në mënyrë që të arrijmë dhe të përfshijmë çdo fëmijë në nevojë dhe të sigurojmë arsimim dhe mirëqenie”, tha ai.
UNICEF-i në Kosovë është i përkushtuar të kontribuojë në përkrahjen e familjeve, sidomos atyre në nevojë, për të ofruar më të mirën për fëmijët në vitet e tyre të hershme të jetës.
Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, tha: “Me përkrahjen e UNICEF-it, prindërve, sidomos baballarëve, po iu ofrohen këshilla, lojëra dhe shkathtësi të thjeshta për t’i përdorur për prindërim më të mirë. Angazhimi prindëror përmes rrëfimit të tregimeve, të kënduarit dhe lojës me fëmijën – të gjitha kritike për zhvillimin e trurit të një fëmije – është thelbësor sidomos gjatë COVID-19. Jam krenar të shoh mbi 190.000 përdorues të veçantë që e vizitojnë platformën tonë online të ZhFH më shumë se 2.5 milion herë që nga lansimi i saj”.
UNICEF-i ka ritheksuar nevojën urgjente për t’iu dhënë prioritet investimeve në Zhvillimin në Fëmijëri të Hershme duke përfshirë përqendrimin në prindërim në kuadër të reagimit ndaj COVID-19. Kjo është kritike për ta ulur numrin e vdekjeve të parandalueshme të fëmijëve, për ta parandaluar dhunën ndaj fëmijëve dhe për ta nxitur rimëkëmbjen dhe produktivitetin ekonomik në afat të gjatë kohor. Jemi mirënjohës për mbështetjen bujare të Qeverisë së Luksemburgut dhe të Qeverisë së Japonisë në përkrahjen e reagimit tonë ndaj COVID-19 në Kosovë./arbresh.info
Veliaj inspekton terminalin veri-perëndimor: Investim i ri q...
“Është një ushtar, robot, kompjuter”, Conte me fjalë të mëdh...
Kryetari i LDK-së shpalos portretin e Xhemail Mustafës në pë...
Maqedonci dhe Jashari, po marrin pjesë në Forumin Ndërkombët...
Shefi i NATO-s takohet me Trumpin në Florida
Grenell pritet të emërohet i dërguar special për konfliktin ...