Google ADS

UNESCO: Keqardhje për largimin e SHBA

13:19 | 13 Tetor 2017
arbresh.info

Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova ka shprehur keqardhje për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga agjencia e OKB-së, përgjegjëse për ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe arsimit.

UNESCO ka nevojë që ta ketë në bord Amerikën, anëtare themeluese të organizmit, në mënyrë që të përmbushë mandatin e vet të gjerë që nis nga promovimi i arsimimit e shkon tek çrrënjosja e varfërisë.

“Na vjen shumë keq për këtë lëvizje. Më kujtohet çfarë thashë në 2011-tën kur Shtetet e Bashkuara humbën të drejtën e votës dhe pezulluan pagesat. Amerika ka rëndësi për UNESC-n dhe UNESCO-ja është e rëndësishme për Amerikën. Ky qe komenti im. Në fakt, nëse i kthehemi historisë do të shohim se ajo është një prej themeluesve të organizatës; e gjithë ideja e ndërtimit të paqes përmes arsimimit, shkencës, kulturës e komunikimit është në thelb, një ide amerikane”, deklaroi Bokova.

Keqardhje shprehu dhe Franca që strehon selinë e UNESCO-s dhe synon kryesinë e organizatës, duke shtuar sidoqoftë se një vendim i tille i jep kuptim të ri kandidaturës së saj.

Uashingtoni deklaroi një ditë më parë tërheqjen nga organizata e njohur kulturore duke e akuzuar për qëndrime kundër Izraelit. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert tha përmes një deklarate se “ky ishte një vendim i vështirë, por pasqyron shqetësimet e Uashingtonit për borxhet e shtuara të UNESCO-s, nevojen për reforma thelbësore si dhe vazhdimin e qëndrimeve kundër shtetit hebre.

Të njëjtën gjë vendosi të bëjë edhe Izraeli. Tërheqja e Shteteve te Bashkuara, që japin një të pestën e buxhetit te UNESCO-s është një goditje e rëndë për organizatën e themeluar në vitin 1946. Sipas zyrtarëve amerikanë, ajo do të vihet në jetë 31 dhjetorin e vitit të ardhshëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme