Google ADS

UNDP: Rreth 60 për qind e qytetarëve në Kosovë besojnë se marrëveshja e Ohrit do të ndikojë pozitivisht në jetën e tyre

20:37 | 28 Shkurt 2024
KRG

Një anketim i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, i publikuar të mërkurën, vë në pah se rreth 60 për qind e qytetarëve në Kosovë besojnë se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndikojë pozitivisht në jetën e tyre.

“Nëpërmjet dy përgjigjeve ‘besoj plotësisht që do të ndikojë’ dhe ‘besoj që do të ndikojë’ mblidhet një total prej 60.8 për qind, ndërsa ky numër ishte 58 për qind në prill të vitit 2023, kështu që shohim një rritje të lehtë pozitive në pëceptimin e qytetarëve se si do të ndikohen nga kjo marrëveshje”, tha Alisa Hasani, menaxhere e projektit.

Ajo theksoi se rreth 75 për qind e të anketuarve besojnë se kjo marrëveshje do të kontribuojë për paqen afatgjatë në Kosovë.

Këto të dhëna janë pjesë e anketimit me emrin “Pulsi Publik” që zhvillohet me mbështetjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar me një mijë e 307 qytetarë në të gjitha komunat e Kosovës.

Të dhënat e anketës tregojnë se qytetarët nga komuniteti serb në Kosovë kanë më pak pritshmëri nga kjo marrëveshje, meqë vetëm rreth 32 për qind tyre besojnë se ajo do të ketë ndonjë ndikim në jetën e tyre.

Sipas raportit mbi 42 për qind e të anketuarve janë shprehur të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës, ndërkaq gati 24 për qind e tyre janë shprehur të kënaqur me drejtimin politik të Kosovës. Një numër më i ulët i të anketuarve ishin të gatshëm të protestonin për arsye politike në këtë raport krahasuar me atë të prillit të vitit 2023.

Anketimi i Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara i cili synon të pasqyrojë opinionet e qytetarëve për situatën në vend, rendit varfërinë, papunësinë dhe çmimet për artikujt e domosdoshëm si tri çështjet themelore që ndikojnë në mirëqenien e tyre.

Përfaqësuesi i Përhershëm i këtij programi në Kosovë, Nino Queiros, tha se kjo është pjesa më shqetësuese për të në këtë anketim.

“Fakti që 25 për qind e qytetarëve janë shumë të shqetësuar nga varfëria dhe fakti që shqetësimi i dytë pas saj është papunësia, më brengos nga një pikëpamje zhvillimore sepse nëse ke shqetësim varfërinë por mendon se ke gjasa të punësohesh në njëfarë mënyre e ke një rrugëdalje, por nëse ke shqetësim varfërinë dhe mbi të shqetësohesh edhe për papunësinë aatëherë ky është një ndikim negativ i dyfishtë në përpceptimin për të ardhmen”, tha ai.

Në anketimin e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara flitet për një rënie të lehtë të perceptimit të qytetarëve mbi sigurinë e tyre. Në tërësi rreth 79 për qind e qytetarëve thonë se ndihen të sigurtë, krahasuar me rreth 83 për qind sa ishte ky numër në anketën e kaluar. Të dhënat e zbërthyera sipas etnisë tregojnë se përqindje më e lartë e shqiptarëve të Kosovës dhe pjesëtarëve të komuniteteve tjera të Kosovës kanë raportuar se ndihen të sigurt, krahasuar me serbët e Kosovës./Zëri i Amerikës

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme