Të mërkurën, Qeveria e Kosovës vendosi që t’i ulë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve duke shfuqizua kështu vendimin e Qeverisë Haradinaj në vitin 2017, vendim i cili, kishte paraparë rritje të pagave mujore të tyre.
Një gjyqtar apo gjyqtare në Kosovë nga viti 2017 e deri më tash e ka pasur pagën 2 mijë e 286 euro në muaj, ndërsa tash do ta merr pagën ashtu siç e kishte marrë deri më 2017, pra, 1 mijë e 417 euro në muaj, pra, rreth 869 euro më pak.
Ndërsa një prokuror apo prokurore tash e pesë vjet është paguar 2 mijë e 805 euro në muaj, ndërsa me vendimin e fundit të Qeverisë, do të paguhet 1 mijë e 454 euro.
Marrë parasysh këto statistika, del se prokurorëve u është zbritur paga për 1 mijë e 351 euro.
Marrë parasysh pagat e vitit 2017 dhe ato të 2022-ës, ata prokurorë apo gjyqtarë që janë paguar 1 mijë e 900 euro, pritet ta kenë pagën rreth 1 mijë.
Ndërsa ata që e kanë pasur pagën 2 mijë e 200 euro, tash pritet ta kenë atë rreth 1 mijë e 100.
Ky vendim për kthimin e pagave ashtu siç kanë qenë para vjeshtës së vitit 2017, nga ekzekutivi ka ngjallur pakënaqësi të mëdha dhe po shihet nga njohës të drejtësisë si i nevojshëm dhe vendim i gabuar.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial (KPK) këtë vendim nuk e kanë pritur aspak mirë, duke vendosur që nga e enjtja gjykatat dhe prokuroritë në gjithë Kosovën punojnë vetëm me raste emergjente, apo siç quhen në terminologjinë juridike, do të kryejnë vetëm shërbime esenciale.
Këto vendime të KGjK-së e KPK-së vlejnë deri më 8 dhjetor, kur kanë paralajmëruar se nëse Qeveria nuk reflekton, nga 9 dhjetori ata mund të hyjnë në grevë të përgjithshme.
IKD: Anulohen dhjetëra seanca gjyqësore
Hyrja në grevë e gjykatave dhe prokurorive, do ta rrezikonte tërë sistemin e drejtësisë në vend, sepse, do të paralizohej veprimtaria e tyre dhe praktikisht, vendi do të mbetej pa institucione gjyqësore, për shkak të mos-funksionimi të tyre.
Kështu thotë Medina Kadriu, hulumtuese e Institutit të Kosovës për Drejtës.
Ajo për arbresh.info pohon se vetëm gjatë ditës së enjte, me reduktimin e punës së gjykatave dhe prokurorive, janë anuluar dhjetëra seanca gjyqësore.
Sipas Kadriut, nëse vazhdon reduktimi i punës nga ta, përfshirë edhe fillimin e grevës, qytetarët do ta pësojnë më së shumti, sepse do u cenohen të drejtat e tyre përmes gjyqësorit.
“Pasojat e gjithë këtij vendimi veçse janë parë akoma pa kaluar 24 orë nga marrja e vendimit të Qeverisë e ku dëmin e pësojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, IKD ka raportuar për dhjetëra seanca , të cilat nuk janë mbajtur gjatë ditës së enjte pas vendimit të marrë nga KGJK dhe KPK. Padyshim, që nëse dy këshillat pas datës 8 dhjetor, marrin masa më radikale për të kërkuar anulimin e këtij vendimi, ndër to edhe grevën, barra e dëmit do të bie ekskluzivisht mbi qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilëve do u cenohet edhe e drejta për realizimin e të drejtave të tyre përmes gjyqësorit”, thotë Kadriu.
Sipas saj, vendimi për ulje të pagave është në kundërshtim me Kushtetutën, paraqet ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe rrit mundësinë e korrupsionit në këtë sistem.
“Konsiderojmë se vendimi i qeverisë Kurti për ulje të pagave cenon pavarësinë e gjyqësorit, është kundër kushtetues dhe paraqet ndërhyrje në drejtësi. Po ashtu, ky vendim i Qeverisë tanimë ngrit potencialin korruptiv në sistemin e drejtësisë.” – theksoi Kadriu për arbresh.info.
GLPS: Nga të dhënat zyrtare mbi 250 mijë lëndë presin epilog nga gjykatat në nivel vendi nga data 1 tetor 2022
Ndërkaq, Liridon Salihi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), deklaron për arbresh.info se me hyrjen në grevë të gjykatave dhe prokurorive, do të kishte pasoja mjaft të mëdha, siç janë rritja e numrit të lëndëve pa epilog, madje në mënyrë indirekte do të nxiteshin njerëzit për të kryer vepra penale.
“Në rast se gjykatat dhe prokuroritë hyjnë në grevë atëherë kjo do të kishte ndikim negativ në administrimin efikas të lëndëve që aktualisht janë në punë nëpër këto institucione dhe rritjen e numrit të lëndëve të vjetra që presin epilog nga gjykatat. Mos të harrojmë se nga të dhënat zyrtare mbi 250 mijë lëndë presin epilog nga gjykatat në nivel vendi nga data 1 tetor 2022, dhe nëse gjykatat e prokuroritë vazhdojnë të punojnë vetëm me raste urgjente apo nëse vendosin të hyjnë në grevë, atëherë i bie që përafërsisht ky numër i lëndëve do të bartej në vitet pasuese. Në anën tjetër, hyrja në grevë e prokurorive do të prodhonte pasoja shumë të mëdha për interesin publik, duke nxitur kështu kryerjen e veprave penale dhe dëmtimin e ndjekjes penale në rastet që janë aktive dhe në të cilat nevojitet rol aktiv i prokurorisë në ndjekjen dhe zbulimin e kryesve dhe veprave penale”, thekson Salihi për arbresh.info.
Ai, theksoi se ky vendim për uljen e pagave është i kundërligjshëm, cenon pavarësinë e gjykatave dhe prokurorive, si dhe rrit mundësinë e korrupsionit në sistem të drejtësisë.
“Si shoqëri civile theksojmë se vendimi i djeshëm i Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është i kundërligjshëm dhe i njëjti cenon pavarësinë funksionale dhe ngrit potencialin korruptiv në sistemin e drejtësisë, duke nxitur që diferenca e pagës të sigurohet përmes burimeve të tjera, përkatësisht përmes keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Ulja e pagave cenon standardin e vendosur lidhur me të drejtat e fituara në të cilën është shprehur Gjykata Kushtetuese përmes aktgjykimit KO219/19 për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit Nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik” , shprehet Salihi.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ku u vendos ulja e pagave për gjyqtarët e prokurorët tha se vendimi i Haradinajt në vitin 2017 ka qenë i paligjshëm dhe e quajti atë “konflikt interesi”.
Ndërsa në një konferencë për media të enjten, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha ulja e pagave është bërë për shkak që vendimi i Haradinajt ka qenë krejtësisht i jashtëligjshëm. Ajo arsyetoi uljen e pagave me reformat në administratën publike.
Në anën tjetër e gjithë shoqëria civile doli kundër këtij vendimi të Qeverisë, siç e quanin ata, skandaloz, për uljen e pagave.
Përveç tyre, gjithë akterët politikë në vend ishin të ashpër në gjuhën e tyre ndaj Qeverisë për vendimin e së mërkurës.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka afat deri më 8 dhjetor nga KGjK-ja dhe KPK-ja që ta anulojë vendimin e saj për uljen e pagave për prokurorët dhe gjyqtarët, në të kundërtën, priten masa më radikale nga këto dy Këshille./ Emir Abduramani /arbresh.info/
“Serbia nuk luan dot me Kosovën”/ Deputeti gjerman: Bisedime...
“M’u kujtua kjo indiferencë turpshme”, Pacolli p...
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte do të vizitojë...
Driloni-Edit: Nëse e fitoj çmimin, e ndaj me ty
Suhareka dhe Ferizaj kërkojnë të rikthehen te fitoret, forma...
Xheneta-Arionit: Të mëson Edi me qenë burrë