Duke vijuar edhe sot “udhëtimin tonë” mes personaliteteve shqiptare në botë, shqiptarë të suksesshëm që na bëjnë të ndihemi krenarë, do të njihemi me Dr. Shyqyri Haxha, shkencëtar dhe pedagog në Britaninë e Madhe.
Emigruar nga Kosova, në drejtim të Gjermanisë e më pas në Britaninë e Madhe, në vitet 90-të, me një arritje të suksesshme akademike Dr. Haxha, ngjiti me meritë dhe aftësi një nga një shkallët e karrierës dhe të shkencës.
Sot, kur kthen kokën pas, me dhimbje konstaton se Atdheu i tij, nuk është më i tij. Të rinjtë e të arsimuarit po largohen, çdo ditë e më shumë, politikanët po mendojnë më shumë për vete e po pasurohen në kurriz të popullit të varfër, Akademitë e Shkencave, si në Kosovë e në Tiranë, po vegjetojnë, me pseudoshkencëtarë që riciklohen, pas kurrëfarë kontributi akademik, diaspora po tkurret dhe asimilohet dhe askush nuk përpiqet e nuk mban përgjegjësi… Shqetësimet intelektuale të Dr. Shyqyri Haxhës i ndajmë me lexuesin në interivstën e mëposhtme.
Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Këtë profesion e kam pasur ëndërr, kam punuar me një motiv të jashtëzakonshëm gjatë gjithë jetës, që të arrij këtu ku jam sot. Është një rrugëtim i gjatë, me plot peripeci dhe sakrifica të kohës.
Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Si fëmijë kam pasur pasion për lëndët egzakte. Gjithashtu, vlen të ceket se edhe babai im i ndjerë ka pasur pasion matematikën dhe lëndët praktike, apo thënë më mire, inxhinierinë. Pothuajse, e gjithë familja ka vazhduar në këtë drejtim. Babai im ka punuar në Trepcë, për mbi 40 vite. Edhe une kam qenë bursist i Trepçës, pra fakulteti im në elektroteknikë është sponzoruar nga Trepça. Udhëtimi im profesional ka filluar që nga shkolla e mesme, ku unë hodha hapat e parë në drejtimin të Shkencave Matematiko-natyrore, kështu quhej drejtimi. Më vonë vazhdova fakultetin në Universitetin e Kosovës, në Prishtinë, ku edhe u diplomova në shtator të vitit 1992. Pastaj vazhdova studimet postdiplomike në Britaninë e Madhe, siç janë magjistratura dhe doktorratura, në City University në Londër. Me një fjalë, udhëtimi profesional kishte filluar qysh herët, por kulminacioni i këtij udhëtimi profesional u arrit, kur unë fillova studimet në Britaninë e Madhe, më konkretisht në City University në Londër.
Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Çelësi im ka qenë dedikimi i pandërprerë dhe i bazuar vetëm në forcat e mia, që të arrij aty ku e kisha vendos cakun. Me një motiv, angazhim të pandërprerë dhe sakrificë të madhe, i jam përkushtuar këtij profesioni shkencor. Nuk jam dorëzuar asnjëherë edhe përkundër situatave shumë të vështira. Asnjëherë nuk kam parë rrugë tjetër përveç kësaj që kisha filluar. Ishte rrugë njëdrejtimshe dhe me kufij të përcaktuar shumë mirë. Nuk kam kursyer asgjë për këtë sukses, me një fjalë, jeta ime është e lidhur me dhe për këtë profesion.
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Sida më e madhe në jetë ka qenë kur vëllai, Bahriu, u vra në Kosovë për liri, lirië që po e gëzojmë sot. Kam qenë duke studiuar për MSc në City University në Londër, kur ka ndodhur ngjarja, më 2 maj 1999. Por edhe për kundër kësaj situate tepër të vështirë, jam angazhuar në studimet e mia, sepse, sa ishte gjallë vëllai, kam qenë vazhdimësi në kontakt rreth lëmisë që e studionim. Edhe Bahriu ishte në të njejtën lëmi, po sa kishte mbaruar Fakultetin e Elektroteknikës, në vitin 1998. Me një fjalë, filluam rrugën e njejtë bashkë, por ai sot është në altarin e lirisë, kurse unë vazhdova rrugën e shkencës dhe diturisë, rrugë që e filluam bashkë. Lufta e Kosovës ishte një sfidë shumë e madhe për mua dhe për familjen time. Ajo na ndërroi kahun e jetës sonë, në përgjithësi.
Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Kjo është në pyetje shumë delikate. Vështirë se mund të parashikoj ndryshe, por sikurse më pyetët më lart, të kisha një zhgjedhje tjetër, atëherë më së shumti, kishte gjasa, ndoshta, që unë të vazhdoja aktivitetin tim politik, si vazhdimësi nga Unioni i Pavarur (UP) i Studentëve të Kosovës. Kam qenë në kryesi të Unionit të Studentëve të Kosovës, më konkretisht arkëtar i Unionit të Studentëve (UP). Kamë marrë pjesë në organizimin e demonstratave në Kosovë, përmes UP-së, që nga viti 1989-1993. Kam qenë njëri nga njerëzit kryesorë në organizimin e mësimit në shtëpi, pas mbyllje se Universitetit nga okupatori, që nga 21 qershor 1991. Së bashku me kryetarin e UP-së, kemi komunikuar direkt me ish-Presidentin, Ibrahim Rugova, me Rexhep Qosjen dhe Hajrullah Goranin…Me një fjalë, kamë qenë njëri nga njerezit më aktivë në UP, në Kosovë, në periudhën 1989-1993. Kamë qenë, gjithashtu, njeriu më i afert që kam bashkëpunuar më kryetaret e UP-së, së pari Mehë Uka, tashmë Dëshmor i Kombit, dhe, më vonë, Fisnik Cukaj. Gjithashtu më duhet të them se kam qenë një faktor stabilizues mes dy kraheve politike, diametralisht të kundërt: LDK dhe LPK, e që të dy këto grupime politike ishin filtruar tepër në UP. Këto përçarje më kanë bërë që të mos inkuadrohem në asnjërin krah, prandaj edhe nuk kam qenë kurrë anëtar i asnjë partie politike, por aktivitetin tim politik, individual, gjithmonë e kam dhënë në çdo vend dhe kudo që kam pasur mundësi dhe do të vazhdoj gjithmonë ta jap, duke shprehur opinionin tim rreth zhvillimeve politike për vendin tim. Jam akademik në Britani të Madhe dhe ndjej obligim kombëtar që të jap kontributin tim, kurdo dhe kudo që mundem. Natyra akademike nuk të lejon që të bëhesh vegël dhe servil i politikës, prandaj edhe akademikët e vërtetë duhet të kenë guximin që të ngrejnë zërin e tyre ndaj degradimeve shoqërore që i bëhen “mëmëdheut” tonë.
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
E arritura që më bën më trimumfues është ngritja në boten shkencore akademike, në një vend ku konkurrenca është shumë e lartë, siç është Britania e Madhe. Vuajtjet në Kosovë nga pushtuesi, gjatë viteve ‘80 dhe ‘90-ta, shpërngulja në Gjermani, në vitin 1993, pastaj përsëri shpërngulja në Britaninë e Madhe ,në vitin 1997, janë, nëse mund t’i quaj kështu, disa jetë më vete. Të fillosh një jetë nga fillimi, për të disatën here, dhe të arrish këtu ku jam sot, në Britaninë e Madhe, nuk është aspak e lehtë! Shpesh mendoj dhe pyes veten nëse sot, po të isha student, nga fillimi, në Britaninë e Madhe, a do të mund të arrija këtë sukses? E bisedoj shpeesh me fëmijët e mi, se ç’ka mendojnë ata, sikur të ishin në kushtet dhe rrethanat tona, a do të shkolloheshin, a do të mund të arrinin këtu ku jemi sot?! Janë shumë pyetje që nuk është lehtë t’iu përgjigjem. Sifda të kalit, të bën të vlerësosh më shumë të tjerët.
Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe”?
Tingulli “Atdhe”, i djeshëm dhe i sotëm, më vënë në një dimension shumë të paqartë dhe të paimagjinuar, në krahasim me pritjen që kemi pasur për Atdheun tonë. Ka diçka shumë të çuditshme që nuk përputhet mes këtyre dy termave, përveç një fjalie që e dua shumë, që të dy, edhe “atdheun” e djeshëm, edhe “atdheun” e sotëm. Ne menduam se “Atdheu” i djeshem ishte si një fëmijë i prangosur, që kontribuam ta rrisim të gjithë, dhe kur të rritet nuk do të na “harrojë’, nuk do të na “përbuzë” dhe nuk do të na dëmtojë, as veten e as neve. “Atdheu” i sotëm tingëllon, apo duket si një adoleshent, që “shqelmon” njerëzit më të mirë të tij, njerëzit që e duan me zemer dhe duan ta shohin një Atdhe me një prosperitet të qëndrueshëm, që të na bëjë të ndihemi shumë krenarë, kur ta përmendim, sikurse edhe në takime shoqërore kudo në botë. Ky “Atdhe”, që e rritem, duket se na e morën nga dora të “tjerët e padefinuar”, dhe po na e “rrisin” dhe “zhvillojnë” me “materie toksike”, i cili po i largon nga zemra djemtë dhe vajzatë më të çmuar të vendit. Një Atdhe që nuk po lejon diasporën të kontribojë, një Atdhe që po largon shtresën më vitale të popullësisë, ështe i gjykuar të alivanoset dalëngadalë, deri sa të arrijë në një moment dhe të dorëzohet tek ata që me qindra vite u munduan ta shkatrrojnë. Armiqtë tanë kanë ndërruar strategjinë e luftës kundër Atdheut tonë, ata kanë punuar shumë, në vazhdimësi, dhe ende punojnë që ta dobësojnë Atdheun tonë. Për dike këto duken ekzagjerime, por nuk janë të tilla. Atdheu është duke kaluar nëpër një gjendje shumë të rendë depresive dhe kërkon ndërhyrje parandaluese dhe “shëruese”.
Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Trashëgëmia më e mirë që më ka dhënë atëdheu im ka qenë dhe është mundësia që ta mbroj të drejtën time personale, familjare me dinjitet dhe të respeketoj, vlerësoj dhe pranoj të tjerët, gjithashtu me dinjitet, ashtu si janë. Ky trashëgim është vlerë e bartur me kranari nga të parët tanë shqiptarë. Përmes këtyre vlerave jam edukuar dhe përgatitur në aspektin profesional. Ky sukses që kam arritur sot, është një ADN e trashëguar nga babait im, Rexhep, dhe nënës time, Halimja, të cilët kanë kaluar nëpër vështirësi e katrahura të rënda, që ne të jemi këtu ku jemi sot. Me një fjalë, prindërve tanë dhe paraardhësve tanë, iu kemi borxh tanë jetën, për sakrificën që ata bënë për ne. Integrimi im në këtë shoqëri i ka rrënjët pikerisht në besimin në Zot dhe krenarinë shqipëtare.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në ekperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Për mua fjala “emigrant” ka një vuajtje dhe sakrificë multidimensionale, një jetë tepër e vështirë, një mall dhe një dhimbje e paimagjinuar për familjen, miqtë, shokët dhe për Atdheun. Si ‘emigrant’ i kemi përjetuar të gjitha diskriminimet e çdo lloji, prandaj jeta e “emigrantit” është shumë e rëndë.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Bashkëpunimi ndërshqiptar do të bëhet kur “përfituesit” politikë të largohen nga këto tryeza bashkëpunimi. Bashkëpunim ndërshqipëtar nuk mund të ketë, nëse shikohen interesat personale dhe grupore. Interesi i përgjithshëm është mbi të gjitha. Shikoni se si janë zhvilluar shoqëritë dhe instituconet në shtetet përendimore, interesi kombëtar apo shtetror është mbi të gjitha. Për ne shqipëtarët duhe një Akademi e përbashkët e Shkencave, apo një model i ri i një “Elite” shqipëtare, apolitike, që të kujdeset për bashkëpunim të qëndreueshëm, që prioritet ka vetëm interesin kombëtar. Shikoni se si Akademia e Shkencave në Kosovë është për dhimbje, se si është kapluar nga një strukturë politike dhe ka humbur qëllimin e egzistencës së saj. Shikoni se sa akademikë shqiptarë, shumë të sukseshëm, ka nëpër botën perendimore, dhe ende Akademia e Shkencave të Kosovës ka në gjirin e saj njerëz që kurrë nuk kanë bërë një studimim të mirëfilltë, shkencor, apo publikim shkencor ndërkombëtar dhe e marrin të drejtën të quajnë veten akademik apo kanë guximin të ‘kapin’ Akademinë e Shkencave, si një institucion që do të duhej të ishte “Zemra e Kosovës”. Akademitë e Shkencave duhen reformuar me staf të dëshmuar akademik, shkencor dhe jo me njerëz të ricikluar dhe që nuk kanë asgjë akademike në karrierën e tyre.
Ndërhyrja e partive politike në këto Akademi, për interesa të tyre apo grupeve të biznesit, do të shkatërrojë çdo iniciativë të mirëfilltë kombëtare. Kjo “Akademi”, apo “Elitë e Re” që po e propozoj, më së miri, do të përbëhej nga shkencëtarë dhe dijetarë të dëshmuar me sukses, nga bota shqiptare, kudo që janë dhe që nuk bëhen vegël e askujt, kur është në pyetje bashkëpunimi dhe interesi ndërshqiptar. Një ‘Elitë’ e tillë mund të formohet kurdo edhe kudo, kërkohet vetëm angazhim dhe sinqeritet kombëtar, dhe që do të ishte në gjendje të mbante në rrjedha dhe të mbrojë interesin kombëtar, jo vetëm të shqipëtarve në Atdhe por edhe të diasporës. Sot Bota Shqipëtare përfshin të gjithë shqipëtarët në mbarë botën e që, për fat të mire, ka shumë akademikë të sukseshëm dhe janë të shtrirë kudo, në mbarë botën. Natyrisht, kuptohet një “Elite” e tillë nuk guxon të ketë agjenda nacionaliste. Partitë politike dhe qeveritë politike shkojnë e vijnë, por interesi ndërshqiptar do të duhej të mbetet i paprekshëm nga grupe të interesit politik apo ato të biznesit, prandaj themelimi i një “Elite” akademike apartiake, e përbërë nga akademikë shqiptarë, nga mbarë Bota Shqipëtare, është e doemosdoshme.
Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Shumë çka do të duhej të ishte më ndryshe. Më duhet ta them me zemër të thyer se mëmëdheu është duke u udhëhequr nga një klasë politike që ka vetëm interesin grupor për të qëndruar në pushtetë sa më gjatë që është e mundur. Kanë futur në lojë edhe faktorin ndërkombëtar, i cili, edhe ai, është duke përfituar së bashku. Sot politikanët tanë janë biznesmenët më të pasur në rajon, Bile, shpesh kanë shtrirë parusitë e tyre edhe jashtë kufijve të atdheut. Sot çdo gjë është bërë politike, asgjë nuk funksionon pa ndërhyrje politike. Ka filluar një trend të ri, atë të thyrjes dhe përuljes së shtresës intelektuale, deri në atë masë sa që, zor se ringrihet. Institucionet e shtetit janë duke u përdorur për qëllime indivuale. Njëmendësia, individualizmi, vartësia dhe serviliteti i janë imponuar qytetarit.
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Qasja e qeverive shqiptare që kanë ndërmarrë ndaj diasporës janë kryekëput për përfitime politike. Kjo qasje, në fakt ka filluar të përçajë edhe diasporën. Përçarja dhe instrumentalizimi i diasporës ka filluar me instalimin e njerëzve të politikës nëpër ambasadat tona në shtetet nga vjen diaspora. Ftesa dhe organizime “selective” janë duke u bërë nga ambasadat dhe kunsulatët nëpër diasporë. Politizimi i skajshëm i ambasadave po shkaton edhe hutim, edhe tek shtete përendimore, sepse po dërgohen mesazhe shumë të paqarta përrreth. Trendi i politizimit të skajshëm të ambasadave duhet të ndalohet urgjentisht, përndryshe vendet tona po e humbin edhe përkrahjen nga shtete mike, siç janë Amerika, Britania e Madhe, Gjermania…etj. Ambasadat tona duhet, patjetër, të inkuadrojnë rreth vetes, së paku, 50% djem e vajza nga diaspora, që janë shumë mirë e të përgatitur profesionalisht.
Kjo klasë politike nuk ka guximin që të ballafaqohet me diasporën e vërtetë shqiptare nëpër botë. Qeveritë duhe ta kenë parasysh se, nëse vazhdojnë me qasje të tilla, do të largojnë interesimin e diasporës për të ndihmuar shtetet tona. Është për të ardhur keq që qeveritë tona nuk kanë marrrë ende guximin që t’i hapin dyert diasporës, që të ndihmojnë shtete tona. Qeveritë tona duhet të jenë shumë shkurtpamëse në këtë drejtim. Ato duhet ta kuptojnë se gjenerata e dytë e diasporës shqiptare mund të humbë interesimin dhe për pësojë një asimilim komplet do të ndodhë, nëse nuk joshet dhe përkrahet nga qeverit tona qysh tani. Ne, shqiptarët, sot jemi goxha shumë në numër, por mos të harrojmë se gjeneratat e ardhshme në diasporë rrezikojnë të asimilohen në heshtje.
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Planet e mia në të ardhmen janë që të vazhdoj punën në shkencë, të implementoj disa ide që, vërtet, do të bëjnë ndryshime revolucionare në shkencë, sidomos në fushën e “Cybersecurity” dhe pajisjet e telekomit dhe ato medicionale. Me një fjalë, të vazhdoj që të sjell ide dhe zbulime shkencore, që do të kenë një impakt të madh në shoqëri, në përgjithësi. Gjithashtu, të marr edhe titullin akademik “Profesor” në Britaninë e Madhe. Si dhe të vazhdoj të ndihmojë vendin tonë, që të zhvillojë bashkëpunim ndërshtetëror mes Britanisë së Madhe dhe vendeve tona…etj.
Planet tona mund të ndryshojnë vetëm nëse qeveritë tona hapin dyert për diasporën dhe na bëjnë një ftesë të sinqertë kombëtare për të dhënë kontributin tone. Pa kthimin e “trurit”, nga bota përendimore në vendet tona, kurrë nuk do të ketë as zhvillim e as prosperitet të mirëfilltë. Kthimi i “trurit” do ta sjellë një freskim dhe do të jetë shpëtimi i Mëmëdheut. Me një fjalë, djemtë edhe vajzat e edukuara, shkolluar dhe më përvojë të dëshmuar në botën perendimore, do të sjellin kapacitete njerëzore që do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, politik dhe social, në përgjithësi.
A do të vijë dita kur një kryeministër dhe një qeveri shqiptare të marrë guximin e të hapë dyert për diasporën, pa interesa dhe përfitime personale politike, dhe me një sinqeritet të plotë?! Është një pyetje që diaspora gjithmonë e ka në mëndje. Këto qeveritë tona kanë një shans që njëherë e përgjithmonë të ndihmojnë vendin dhe popullin e tyre, në të dy vendet, duke hequr dorë nga përfitime e tyre personale dhe ambicjet e tyre të sëmura për pushtet. Historia kurrë nuk do të na e falë edhe nuk do të ofrohet kjo mundësi që është sot për të ndihmuar popullin tonë. Në historinë tonë gjithmonë kemi pas njerëz trima, që kanë dhënë gjithçka për liri, por në paqe kemi ngecur, kemi dështuar të dergojmë AMANETIN e dëshmorëve në vend dhe kjo është shumë e rëndë. Trojet tona po vazhdojnë të zbrazen, para syve të kësaj klase politike, e cila me një hipokrizi të paparë shikon karshi kësaj tragjedie kombëtare. Ne që jetojmë në përendim kemi pasur shpresën që një ditë do të kthehemi, kurse në anën tjetër vazhdon largimi i shpresës më vitale të kombit. Fëmijët tanë, në botën përendimore, pothujse janë duke u asimiluar, ky është një fakt që duhet të na brengosë të gjithëve….
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekes online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?
“ The Albanina” është medium i pavarur që po promovon vlerat e mirëfillta shqiptare të njerezve të sukseshëm. Ky medium ka arritur mbi një milion ndjekës, duke prezentuar me një profesionalizëm shumë të lartë, pavarësinë mediale të paparë deri më sot nga ndonjë medium tjetër. “The Albanian” nuk duhet të dorëzohet asesi, edhe pse nuk është e lehtë aspak të mbash një qëndrim të tillë, në një kohë, siç thuhet “të pakohë”. Vetëm me një pavarësi dhe origjinalitet medial mund të ndryshohet trendi degradues që ka kapluar institucionet e mëmëdheut.
“Fushatë katastrofë e demokratëve”, senatori Sanders: Humbën...
Xheneta ia hedh birrën Rovenës derisa po këndonte, Xuxi reag...
Kafeneja në Beograd vendos foton e Trumpit: “Fotografohuni d...
BE thotë se Shqipëria përfundon negociatat në 2027
Publikohet lista e Francës për ndeshjet e nëntorit, mungon M...
U.D. Kryeprokurori i Shtetit dhe shefi i misionit të EULEX-i...