Kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, ka thënë se nëse nuk bëhet shpejt një zgjidhje për të mos lejuar shkatërrimin e Telekomit, atëherë, do t’ju prijë 2500 punëtorëve për të kërkuar të drejta në rrugë.
Për të mos ndodhur ky skenar, ai u ka bërë thirrje zyrtarëve të Qeverisë të përfshihen në zgjidhjen e kësaj situatë ku një kompani privat po kërkon 25 milionë e 900 mijë euro.
“Jemi duke negociuar. Takimin e radhës e kemi të hënën. Shpresoj shumë se do të gjejmë një marrëveshje që të mos ekzekutohet vendimi i Gjykatës për t’ia marrë Telekomit ato mjete”, ka thënë Bedri Istrefi, Kryeshef i Telekomit.
Ai ka kërkuar ndihmën e Qeverisë për të tejkaluar këtë situatë. Në të kundërtën ka thënë se do të jetë në krye të protestave të 2500 punëtorëve të kësaj kompanie publike.
“Unë do të luaj rolin e kryesindikalistit dhe do të dalë në rrugë bashkë me punëtorët”, ka thënë Istrefi, për Express, të dielën.
Ai ka thënë se nëse dështon Telekomi do të pësojnë edhe 1 mijë e 300 punëtorë të Postës.
“Shpresoj shumë se edhe Qeveria përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonimik do të përfshihet në këtë proces që mos t’i lëmë më shumë se 2 mijë e 500 punëtorët. Po ashtu, edhe 1300 punëtorët e Postës janë të varur nga Telekomi dhe gjithsejtë 3800 punëtorë do të mbesin rrugëve”, ka thënë ai.
Këto paralajmërime të Istrefit vijnë pak ditë pasi Z-Mobile përmes një letre zyrtare i ka kërkuar kryeshefit ekzekutiv të Telekomit që në një afat brenda dy javësh të kryhet borxhi prej 25 milionë e 900 mijë eurove.
Data e dërgesës së kësaj letre shënon 26 prill 2019, që i bie se Telekomit i ka mbetur edhe një javë kohë që ta paguajë këtë borxh.
E në të kundërtën në letër thuhet se Z-mobile do të fillojë procedurat e përmbarimit.
Sipas asaj që shkruhet në dokument, borxhi nga vendimi i Arbitrazhit ka arritur në shumën e 25 milionë e 900 mijë euro.
“Tani vendimi i Arbitrazhit është i përmbarueshëm dhe kamatat ligjore rriten çdo ditë, prandaj vonesat në pagesën e borxhit nga Vendimi i Arbitrazhit më së paku i konvenojnë Telekomit të Kosovës. Duke pasur parasysh të lartcekurat ju lusim që brenda afatit prej 14 ditësh nga data e pranimit të kësaj shkrese të deklaroheni se a dëshironi ta paguani borxhin vullnetarisht, pa nevojë nga ana jonë që të inicohen procedurat e përmbarimit”, thuhet dokument.
“Ne jemi në pritje të propozimit tuaj për ekzekutimin e Vendimit të Arbitrazhit dhe përgjatë afatit të lartshënuar nuk do të marrim veprime tjera ligjore. Në rast të mosgatishmërisë suaj për t ëgjetur zgjidhjen për pagesën e borxhit, ne jemi të detyruar të inicojmë procedurat e përmbarimit, të cilat janë shumë të kushtueshme për Telekomin”, vazhdon letra që mban logon e Z-mobile, por që është dërguar në emër të Dardafon.net LLC si pronare e saj.
Me autorizim të drejtuesve të Z-mobile, nënshkrimin e saj e ka bërë Valon Basha.
Më herët, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka pati deklaruar se në rast se Telekomi paguan këtë borxh ndaj Z-mobile, atëherë kompania publike do të falimentonte, ka shkruar të shtunën Gazeta inFokus
Si shkak i gjendjes së rënduar financiare, Lluka ka thënë se Telekomi nuk ka kapacitete që ta kryejë këtë borxh.
“Nuk guxon të ndodhë që Z-Mobile ta dërgojë për inkasim. Duhet të fokusohemi për një zgjidhje përfundimtare, edhe për ndërprerje të kontratës, por një zgjidhje që pagesa të bëhet në një formë që nuk e dëmton Telekomin. Telekomi nuk mund të paguajë menjëherë, e as të marrë kredi, por duhet gjetur forma me rata apo diçka tjetër”, pati thënë Lluka.
Por, si nisi problemi i Telekomit me Z-mobile?
Më 25 janar të vitit 2016, Z-mobile e dërgoi Telekomin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Kompania që udhëhiqet nga Blerim Devolli fillimisht përmes kësaj Gjykate kërkoi që Telekomi t’ia paguante 44 milionë euro dëmshpërblim.
Gjithë këto para, kompania i arsyetoi duke thënë se Telekomi e dëmtoi atë qëllimisht.
Z-mobile pretendonte që gjithë këto dëme iu shkaktuan gjatë periudhës 2011-2014.
Njëri prej dëmeve më të mëdha të cekura në padi, sipas kompanisë së Blerim Devollit ishte problemi me ofrimin e shërbimit 3G dhe 4G, si dhe ndarja e disa Sim Kartelave dhe numrave mobil, që Telekomi do të duhej të bënte ndaj Z-mobile.
Asnjëra prej këtyre obligimeve sipas padisë nuk ishte përmbushur.
E përveç kësaj, aty theksohej se Telekomi drastikisht reduktojë kualitetin e shërbimeve vetëm për konsumatorët e Z-mobile.
Asokohe, drejtori menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa pati deklaruar se pretendimet e Z-mobile janë të pabaza.
Megjithatë, kjo shifër prej 44 milionë eurosh të kërkuara në Arbitrazh, tashmë ka zbritur në 25 milionë e 900 mijë euro.
Leo, Drilonit: E di që të dhemb që nuk mund të jesh me Lelën
Digjen disa automjete në Prishtinë, nuk ka të lënduar
Sot është ditëlindja e Presidentit historik, Ibrahim Rugova
Leku i kohës së Mbretit Zog – Qytetari nga Prishtinë krijon ...
Parashikimi i motit për sot në Shqipëri
Joe Biden merr vendimin përpara dorëzimit të presidencës, sh...