Google ADS

U shënua 20-vjetori i themelimit të Njësitit të parë të UÇK-së

15:43 | 18 Prill 2018
Arbresh.info

Sot në fshatin Zabërgj, u shënua 20-vjetori i themelimit të Njësitit të parë të UÇK-së në Shalë të Bajgores, ku morën pjesë kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, përfaqësues të institucioneve, pjesëtarë të FSK-së, ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfaqësues të shoqatave të luftës, si dhe banorë të rajonit të Shalës.

Në fjalën e tij kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se para 20 vitesh, trimat e kësaj ane i treguan armikut se durimit i ka ardhur fundi, dhe kapën armët në duar për t’i dal zot atdheut.

“Sot përkujtojmë 20 vjetorin kur banorët e Shalës së Bajgores i dolën zot vendit, për ta mbrojtur atdheun nga armiku të cilët treguan trimëri, jo vetëm gjatë luftës së fundit por ndër shekuj. Ne duhet të nderojmë të gjithë dëshmorët dhe të rënët e tjerë të cilët dhanë jetën e tyre për liri dhe pavarësi të Kosovës, andaj sot më shumë se kurrë duhet të jemi të  bashkuar për të mirën e vendit tonë”, ka thënë Bahtiri.

Ndërsa Rafet Ibishi, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës në Mitrovicë, theksoi se sa herë që përmendet e kaluara, kujtohet rruga nëpër të cilën kaluan luftëtarët për të arritur deri në ditët e sotme.

“Lufta e UÇK-së bëri kthesën më të madhe në historisë tonë qindra vjeçare dhe ishte më meritorja për lirinë të cilën e gëzojmë sot, ndërsa banorët e fshatit Zabërgjë ishin dhe do të mesin shembulli më i mirë i kësaj treve për liri, sakrificë e besnikëri”, u shpreh Ibishi.

Në anën tjetër, Nexhat Dedia, njëri nga themeluesit e Njësitit të parë në këtë zonë, ka shtuar se lufta për liri e pavarësi të vendit ka qenë prezent gjithmonë në këto anë duke filluar nga Isa Boletini e shumë trima të tjerë.

“18 prilli i para dy dekadave, dita kur në këtë fshat u paraqit Njësiti i parë i UÇK-së, ishte dita e krenarisë sonë kombëtare në rajonin e Shalës, dhe ditë që nuk përshkruhet me laps e me fjalë”, theksoi Dedia.

Në fund të ceremonisë u ndanë mirënjohje për gjashtë themeluesit e parë të UÇK-së në këtë zonë, si dhe për familjet e këtij fshati që kontribuuan në ato kohë të vështira.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme