U rrahën me karrige e shishe qelqi në një lokal, paraburgim për gjashtë persona

16:23 | 6 Gusht 2021
A. B.

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për gjashtë persona që u rrahën me karrige e shishe qelqi në një lokal në Prizren.

Sipas njoftimit te gjykatës, “Me datë 1 gusht në orët e mesnatës në Prizren, të pandehurit M.H., Sh.H., E.A., D.D., D.K., dhe M.Xh., me dashje i sulmojnë të dëmtuarit në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjes së atë çastshme në mes të pandehurve dhe të dëmtuarve, të njëjtit fillimisht fjalosen në mes vete, më pas të pandehurit i sulmojnë të dëmtuarit duke i goditur me grushte, karrige dhe shishe të xhamit – mjete këto të rrezikshme dhe që mund të shkaktojnë lëndime të rënda trupore, me ç ‘rast si rezultat i goditjeve të dëmtuarit pësojnë lëndime të rënda trupore sipas raporteve mjekësore”.

Njoftimi i plotë:

Prizren, 6 gusht 2021 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtari i procedurës – Fidan Hoxha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 04.08.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 03.09.2021, ndaj të pandehurve, M.H., Sh.H., E.A., D.D., D.K., dhe M.Xh., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: lëndimi i rëndë trupor, nga neni 186 par. 3 nën par. 3.1. lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj 6 (gjashtë) të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë foto dokumentacioni dhe video-incizimi nga vendi i ngjarjes të natës kritike, rrjedh dyshimi i bazuar:

– Me datë 1 gusht në orët e mesnatës në Prizren, të pandehurit M.H., Sh.H., E.A., D.D., D.K., dhe M.Xh., me dashje i sulmojnë të dëmtuarit në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjes së atë çastshme në mes të pandehurve dhe të dëmtuarve, të njëjtit fillimisht fjalosen në mes vete, më pas të pandehurit i sulmojnë të dëmtuarit duke i goditur me grushte, karrige dhe shishe të xhamit – mjete këto të rrezikshme dhe që mund të shkaktojnë lëndime të rënda trupore, me ç ‘rast si rezultat i goditjeve të dëmtuarit pësojnë lëndime të rënda trupore sipas raporteve mjekësore.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje janë në fazën fillestare, dhe me lënien në liri të të pandehurve të njëjtit mund të arratisen dhe t’i shmangen dhe të pengojnë procedurën penale- hetimore.

Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit për të pandehurit është më se i domosdoshëm, duke pasur mënyrën dhe rrethanat që dyshohet se është kryer vepra penale, si dhe duke pasur parasysh peshën e veprës penale, dhe atë dyshohet se e kanë kryer me përdorimin e mjeteve të rënda e të forta, siç janë: karriget, shishet e xhamit, padyshim se shton pasojat më të rënda të veprës penale.

Nga të lartcekurat duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, ambientin ku është kryer vepra penale, kemi të bëjmë me veprën penale të lëndimit të rëndë trupor e cila vepër është kundër vlerave të integritetit trupor të njeriut si e drejtë elementare e fondamentale, andaj sipas mendimit të gjykatës caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme