Google ADS

U mbajt konferenca e 2-të vjetore me titull “Nuk ka paqe pa gra”

12:45 | 13 Qershor 2023
K.B

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën e 2-të vjetore me titull “Nuk ka paqe pa gra”, për të cilën tha se është veçanërisht e përshtatshme, që po mbahet një ditë pas përvjetorit të Çlirimit të Kosovës nga ana e NATO-s.

Duke kujtuar ndërhyrjen e NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë kundër popullit shqiptar të Kosovës, Kryeministri Kurti tha se Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë suksesi më i madh i historisë së kësaj aleance.

“Është pikërisht kjo përvojë e suksesshme në Kosovë, ajo, e cila ka qenë vendimtare për realitetin e suksesshëm sot të aleancës së NATO-s, kur po ballafaqohemi me invazionin e paprovokuar dhe agresionin e pajustifikueshëm të Federatës Ruse në Ukrainë”, tha ai.

Kjo konferencë, sipas kryeministrit Kurti, nuk mund të ketë pasur titull më të qëlluar, pra ‘Nuk ka paqe pa gratë’ sepse pikërisht paqja vjen pas çlirimit dhe pikërisht gratë e dinë më së miri rëndësinë e çlirimit nga dominimi, nga shtypja, nga shfrytëzimi.

Në këtë rrugëtim të popullit tonë, gratë dhe vajzat po luajnë rol gjithnjë e më të madh. Aktualisht, gratë përbëjnë 14.69% të punonjësve të Policisë së Kosovës, duke përfshirë 1,038 në uniformë dhe 286 staf civil. Ndërsa, në Ministrinë e Mbrojtjes, në Forcën e Sigurisë së Kosovës, gratë përbëjnë 9.75% të punonjësve, me 401 ushtarake dhe punonjëse civile gjithandej, shtoi Kryeministri.

Ai theksoi se përdorimi i konceptit të sigurisë njerëzore në titullin e konferencës, si dhe në temat e paneleve, nënkuptojnë se pjesëmarrja e grave dhe vajzave në siguri, nuk kufizohet vetëm në përfshirjen e tyre në institucionet e sigurisë në kuptimin e ngushtë të fjalës, ngase sipas kryeministrit siguria nuk vjen vetëm nga institucionet e sigurisë, por kemi nevojë për siguri në shoqëri, e cila bëhet fakt i mirëqenë që e jetojmë dhe përjetojmë të gjithë.

Kryeministri Kurti, gjatë fjalës, përmendi edhe ndarjen e shtesave për gratë lehona, për fëmijët, hapjen e llogarive bankare nga afro 90 mijë gra, ndarjen e bursave për gratë dhe vajzat në fushat STEM, për të cilat tha se me shumë gjasë do të bëhen ndër lideret më të rëndësishme të së nesërmes për sigurinë njerëzore./Arbresh.info/



Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme