U konsiderua partner i vështirë nga ndërkombëtarët, Kurti: S’jam kokëfortë, jam parimor

09:40 | 23 Qershor 2023
L G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u është përgjigjur deklaratave të aleatëve ndërkombëtarë, të cilët e konsiderojnë si partner të vështirë dhe kokëfortë, raporton Gazeta Sinjali.

Në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” , Kurti ka thënë se nuk është kokëfortë, por parimor.

“Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor. Politika nuk mund të shihet e izoluar nga etika dhe vlerat”, ka thënë ai.

Po ashtu, kryeministri thotë se i ka dëgjuar miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, kur i kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit, si dhe zhvendosjen e vendit të betimit të kryetarëve të Komunave.

“Kryetarët e Komunave duhet të shkojnë në zyrat e tyre, apo mos vallë duhet ta bëjnë punën përmes zoom-it?”, ka pyetur shefi i Qeverisë së Kosovës.

Kurti për këtë gazetë ka zbuluar edhe për bisedat që i bën me presidentin e Serbisë gjatë takimeve në Bruksel.

“Kur e takoj zotin Vuçiq, më duket gjithmonë se ai dëshiron të kthehet në kohë: herë në vitin 1999 kur u çliruam, herë para vitit 2008 kur shpallëm pavarësinë dhe herë para 27 shkurtit të këtij viti, kur ai i tha ‘Po’ marrëveshjes së paraqitur nga BE-ja në Bruksel, por të cilën nuk e nënshkroi”, ka thënë kryeministri Kurti.

Njëjtë ishte përgjigjur edhe në kohën e krizës nga cështja e targave në nëntor të vitit të shkuar, kur Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kishte deklaruar se Kurti është jokonstruktiv.

“Unë nuk jam kokëfortë, jam parimor”, ishte përgjigjur pyetjeve të gazetarit Michael Martens./Arbresh.info/

Të ngjashme