U inaugurua Impianti për trajtimin e ujërave të ndotura në Pejë, Kurti: Falënderoj Zvicrën dhe Gjermanin për bashkëfinancim

17:10 | 12 Tetor 2022
E.H

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në inaugurimin e Impiantit për trajtimin e ujërave të ndotura, në Gorazhdec, Pejë, kostoja e përgjithshme e të cilit arrin vlerën 19 milionë e 800 mijë euro.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti u shpreh i gëzuar që sot u bë inaugurimi i këtij impianti, duke veçuar se sektori i ujërave e ka një dinamizëm mbresëlënës dhe se çdo raport, çdo ngjarje e vërteton sa shumë po veprohet në këtë sektor.

Ai theksoi se qeveria e konsideron të jetë ndër sektorët prioritar, meqë ujërat janë parakusht edhe i jetës së qytetarëve edhe i çdo politike zhvillimore, thuhet në komunikatën për media.

Javën në vijim pritet edhe inaugurimi i impiantit në Gjakovë, duke mbuluar kështu një pjesë të madhe të pellgut të Drinit të Bardhë që ndahet me Shqipërinë, me Maqedoninë e Veriut me Malin e Zi dhe me Greqinë.

Nga kryeministri Kurti u tha se synohet që të mbulohet trajtimi i ujërave të ndotura për rreth 75 për qind të numrit të gjithmbarshëm të popullsisë në Kosovë për një periudhë 10 deri 15 vjeçare.

Njëkohësisht, ai falënderoi qeveritë gjermane dhe zvicerane për bashkëfinancimin e këtij impianti, si dhe për përkrahjen e çmuar në sektorin e ujërave gjatë dy dekadave të fundit.

Qeveria ka përqafuar dhe mbështetur plotësisht këtë projekt duke njohur rëndësinë e tij në nxitjen e zhvillimit të këtij sektori dhe ndikimin e tij të rëndësishëm mjedisor, veçanërisht duke përmbushur një detyrim të rëndësishëm ndërkufitar, tha kryeministri.

Si qeveri, në bashkëpunim me ministritë e linjave për resurse ujore dhe shërbime ujore, kryeministri shprehu zotimin që do të investohet në krijimin e një brezi të ri të profesionistëve në këtë sektor vital për vendin tonë.

Ndërtimi i këtij impianti të ri për trajtimin e ujërave të zeza u mundësua nga bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Komunës së Pejës, Republikës Federale të Gjermanisë dhe Qeverisë Zvicerane përmes KfW (Banka Gjermane për Zhvillim)./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme