Google ADS

Turqia në krizë, Erdogan propozon tregti pa dollarin

17:01 | 3 Shtator 2018
Arbresh.info

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, propozon tregti pa dollarin amerikan.

‘Varësia e tregtisë ndërkombëtare ndaj dollarit amerikan ka filluar të bëhet pengesë përballë nesh. Prandaj ne propozojmë të fokusohemi mbi alternativën e bërjes tregti me valutat tona’, tha Erdogan në Samitin e 6-të të Këshillit Turkik në Kirgistan, raporton Anadolu Agency (AA).

‘Disa vende përpiqen t’i nxjerrin në plan të parë kërcënimet, shtypjet dhe shantazhin, në vend të diplomacisë, dialogut dhe multilateralizmit në zgjidhjen e çështjeve ndërkombëtare. Si pasojë e metodave si kufizimet tregtare, tarifat doganore dhe sanksionet, marrëveshjet që janë vepër e shumë viteve mund të bëhen të pakuptimta për një çast’, tha presidenti turk.

Erdogan theksoi se Turqia do të vazhdojë të mbrojë dialogun, diplomacinë dhe drejtësinë në solidaritet me komunitetin ndërkombëtar.

Ai shtoi se bashkëpunimi dhe solidariteti mes shteteve turkike do të kontribuojë në funksionimin e drejtë të sistemit ndërkombëtar, shtoi Erdogan.

Presidenti i Turqisë theksoi Ballkanin, Afrikën e Veriut dhe Palestinën nuk i konsiderojnë jashtë botës turkike.

‘Derisa çështja palestineze të mos arrijë një zgjidhje të drejtë dhe të përhershme, as vendosja e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar nuk do të jetë e mundur’, deklaroi Erdogan, duke riafirmuar zotimin për të vazhduar përpjekjet për paqe dhe drejtësi në rajonet si Palestina, Siria, Iraku, Jemeni dhe Afganistani.

Samiti mbahet në mikëpritje të presidentit të Kirgistanit Sooronbay Jeenbekov në Qendrën Kulturore Rukh Ordo.

Krahas presidentëve të Turqisë, Azerbajxhanit, Kazakistanit dhe Uzbekistanit, edhe Hungaria si shtet vëzhgues është përfaqësuar nga kryeministri i saj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme