Dy tryeza të partive politike janë mbajtur deri më tani në përpjekje për arritjen e një konsensusi politik për temat, që konsiderohen si tema të mëdha. Megjithatë, ende asgjë konkrete nuk ka dalë nga këto tryeza. Sidoqoftë, analistët i vlerësojnë si pozitive, ndonëse nuk presin që shpejt të ketë rezultate nga këto tryeza.
Tryezat politike të organizuara me rrotacion nga subjektet politike në vend, nga analistët politikë vlerësohen si pozitive. Por ata thonë se duhet të ketë rezultate konkrete nga këto takime. Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se ato do duhej të shërbenin për përafrim të qëndrimeve të subjekteve politike, por kjo duhet të materializohet dhe të shihen hapa konkret në Kuvendin e Kosovës. Murati thekson se tryeza të tilla do duhej të organizoheshin edhe më herët.
“Në Kosovë fatkeqësisht është krijuar një mendësi që fillimisht shkaktohet një dëm i madh, pastaj pas një kohe tentohet që ai dëm të zvogëlohet përmes tentimit për përafrim. Për shembull kësi lloj tryezash do të ishin shumë të nevojshme, për çështjen e demarkacionit, ose për çështje që duhet të diskutohen para se të hyjnë në proces. Edhe tash po diskutojnë për dialogun, kur po hyjmë në fazën përfundimtare të tij. Këto diskutime do duhejtë ndodhnin shumë më herët”, tha Murati për Radio Kosovën.
Faza përmbyllëse e dialogut me Serbinë, ishte një prej temave që u diskutua në tryezën e dytë që u mbajt para dy ditë më parë nën organizimin e PDK-së. Pas takimit u shpreh gatishmëria që të vazhdohet me diskutime për arritjen e konsensusit për dialogun me Serbinë. Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” nuk pret të ketë rezultate të shpejta, por vlerëson faktin që është tejkaluar ai acarimi i madh politik që e karakterizoi skenën politike për tri vjet me radhë.
“Të gjitha këto takime pastaj mund të ndikojnë që gradualisht spektri ynë politik të krijojë konsensus të përbashkët për çështje të tilla nacionale, që janë shumë të rëndësishme për Kosovën, sic është Asociacioni, dialogu me Serbinë, krijimi i ushtrisë dhe çështje të tjera. Unë konsideroj se janë pozitive. Ndoshta fillimisht nuk mund të presim të ketë lëvizje të tilla të menjëhershme, por gradualisht në takime të tilla konsideroj se mund të ketë konsensus për çështje të tilla”, tha Demhasaj për Radio Kosovën.
Tryeza e parë u organizua javë më parë nga LDK-ja, ku u diskutua në terma të përgjithshëm për tema nacionale. Në tryezën e dytë të organizuar nga PDK-ja dy ditë më parë, u diskutua më konkretisht për fazën përmbyllëse të dialogut me Serbinë, hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, formimin e Ushtrisë, agjendën e integrimeve evropiane dhe për reformën zgjedhore. Tryezën e tretë, sipas radhës, i takon Vetëvendosjes ta organizojë, ndonëse këta të fundit nuk morën pjesë në tryezën e organizuar nga PDK-ja./rtklive
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...