Trusti Pensional i Kosovës vazhdon të mbetet pa bord drejtues. Komisioni për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit nuk ka kthyer përgjigje për Radio Kosovën se deri ku kanë shkuar proceduar për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të bordit. Si rrjedhojë e luhatjes së tregjeve globale, Trusti, nga janari deri në dhjetor të vitit 2022, ka humbur mbi 118 milionë euro.
Që nga 28 shkurti 2023 të gjithë anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës u ka përfunduar mandati. Në mungesë të Bordit, kursimet e mbledhura nga Trusti gjatë këtyre muajve, nuk mund të investohen në tregje financiare.
Konkursi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj është mbyllur më 23 dhjetor 2022, por që nga atëherë Komisioni përgjegjës ende nuk i ka shqyrtuar kandidatët që kanë aplikuar. Komisioni përbëhet nga ministri i Financave, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës dhe Auditori i Përgjithshëm.
Radio Kosova ka dërguar pyetje te të gjitha këto institucione përgjegjëse, por ka marrë përgjigje vetëm nga Zyra për Informim e Bankës Qendrore të Kosovës.
Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, i ka thënë Radio Kosovës përmes e-mailit se ky institucion ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Financave dhe nga Auditori i Përgjithshëm, lidhur me procesin për anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, por që sipas tij, ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje deri tani.
“Bazuar në nenin 4, paragrafi 4.6 të Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, të ndryshuar dhe plotësuar me nenin 2, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/L-116, një komision për përzgjedhje, i propozon Kuvendit për vendet e lira në anëtarësim ose për riemërim të anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Sipas këtij neni, ky komision do të përbëhet nga guvernatori i BQK-së-kryesues, Auditori i Përgjithshëm dhe ministri i Financave. Ju informoj se bazuar në kërkesat ligjore, gjatë vitit 2022, përkatësisht më 14 mars 2022 dhe më 24 tetor 2022, si dhe më 5 janar 2023, Guvernatori Fehmi Mehmeti ka bërë kërkesë drejtuar ministrit të Financave dhe Auditorit të Përgjithshëm, lidhur me procesin për anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Megjithatë, deri më tani, guvernatori Mehmeti nuk ka marrë asnjë përgjigje nga institucionet përkatëse lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës,”thuhet në përgjigjen e BQK-ës.
Më herët nga Trusti Pensional i Kosovës patën deklaruar për media se nga ana e Trustit janë kryer të gjitha procedurat, siç është hapja e konkursit me kohë dhe dërgimi i kandidatëve për shqyrtim te Komisioni përgjegjës.
Si rrjedhojë e luhatjes së tregjeve globale, Trusti nga janari deri në dhjetor të vitit 2022, ka humbur mbi 118 milionë euro.
Duke marrë parasysh krizën bankare që ka përfshirë këto ditë SHBA-në dhe Evropën, ekonomisti Emanuel Bajra thotë për Radio Kosovën se duhet të ketë kujdes të shtuar në këtë çështje.
“ Nuk besoj që do të jetë i rrezikuar, por gjithsesi që duhet të jemi të vëmendshëm, për shkak se preukopimi im kryesor është te kapitali i jashtëm, pra, nëse një masë e panikut hapet gjithandej bankave evropiane, atëherë këto banka që kanë selitë kryqore nëpër Evropë, mund t’i tërheqin kapitalin e tyre investues në banka komerciale, që do të thotë që mund të ndikojë në depozitat tona, e natyrisht këtu BQK për atë arsye është edhe e krijuar që t’i garantojë këto depozita të qytetarëve tanë, dhe nuk e shoh që kjo do të jetë problem, por kështu patëm thënë edhe në vitin 2007-2008, kështu thamë edhe në vitin e kaluar kur të gjithë menduam që problemet financiare janë vetëm me kriptovaluta, por ja ku jemi sot, kemi probleme dhe krize bankare globale,” thotë Bajra.
Në mungesë të bordit, partitë opozitare kanë deklaruar se paratë e kontribuuesve kosovarë janë të rrezikuara, ndërsa nga pozita kanë thënë se Ligji për kursimet pensionale e parasheh që në rastet kur nuk zgjidhet bordi i ri, atij ekzistues i vazhdohet mandati për 90 ditë.
Rreth 2.5 miliardë euro janë investuar në tregjet ndërkombëtare nga pensionet e kosovarëve Sipas ligjit, vetëm Bordi vendos për investime apo tërheqje të mjeteve të investuara./RTK/
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...