Triumf për shpresë dhe ndëshkim për kapje të shtetit

08:48 | 8 Tetor 2019
Arbresh.info

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Nga mbi 98 për qind të votave të numëruara LDK-ja është radhitur subjekti i dytë, PDK-ja i treti, AAK-ja i katërti, kurse Nisma ka mbetur pa kaluar pragun zgjedhor. Vlerësohet se triumfi i Vetëvendosjes ka ardhur pas dështimeve të vazhdueshme të partive që kanë qeverisur me shtetin e Kosovës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Për herë të parë në Kosovë Lëvizja Vetëvendosje ka dalë subjekti më i votuar në zgjedhjet nacionale. Më 6 tetor, ditën kur u votua për përbërjen e legjislaturës së shtatë, LVV-ja mposhti partitë e tjera, të cilat garuan në këto zgjedhje.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), LVV-ja ka marrë rreth 26 për qind të votave, gjegjësisht mbi 200 mijë sosh, shkruan më tutje Gazeta “Zëri”.

Zyrtarët e këtij subjekti thonë se puna 14-vjeçare e LVV-së, programi, lista e deputetëve dhe kandidati për kryeministër janë disa prej arsyeve që sollën fitoren e LVV-së.

Por njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se triumfi i Vetëvendosjes ka ardhur pas dështimeve të vazhdueshme të partive të tjera, që kanë qeverisur me vendin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme