Google ADS

Tri vjet pritje| Mungesa e anesteziologëve zvarritë operacionet në QKUK

09:06 | 10 Korrik 2022
A Z

Mungesë e mjekëve anesteziologë në Qendrën Klinike Universitarë të Kosovës (QKUK), ka ndikuar që pacientet për një operim të presin deri në tri vjet.

K.L (emër i njohur për redaksinë) thotë se është duke pritur që tri vite në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare në QKUK,  për t’i operuar venat e dala në këmbë. Ajo ka treguar që përkundër dhimbjeve, vazhdon ende të pres për shkak të kushteve financiare.

“Unë kam pritur që tri vjet, gjithmonë tu shpresua që kanë me më thirr për me hy në operacion, por kjo ka qenë e kotë. Unë po pres për tu operuar këtu për shkak të kushteve financiare. Në klinika  privat nuk kam pasur mundësi të operohem, se kjo nuk është e lirë, e ka një kosto të lartë që do të na i rëndonte buxhetin familjar”, thotë L.K për arbresh.info.

Ajo ka treguar që në vazhdimësi ka kërkuar që të bëhet ky intervenim në ShSKUK, por aty i kanë thënë që kushtet nuk janë që tani për tani të bëhet ky intervenim, dhe kjo “tani për tani” ka zgjatur tri vjet.

Edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, konfirmojnë se këto zvarritje vijnë si rezultat i mungesës së mjekëve anesteziologë.

“SHSKUK dhe spitalet, janë mbështetur që të shpallin vende pune për këtë lëmi, por siç u tha, është lëmi ku kuadri nuk është i mjaftueshëm dhe bukur vështirë sigurohen, për shkak se një numër i anesteziologëve duan te punojnë vetëm në sektorin privat, sigurisht për shkak te pagesave më të mira”, thuhet në përgjigjën e ministrisë për arbresh.info

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu tregon arsyet pse ka mungesë të anesteziologëve në QKUK.

“Specifikash Ministria nuk ka se çfarë të bëjë, në treg nuk ka mjek specialistë. Por, duhet të ofrohen kushte më të mira pune, dhe duhet të bëhet ngritja e pagave. Tani profesionin e anesteziologëve, janë duke e ushtruar 105 mjek, ndërsa është dashur të jenë të paktën 180 mjek specialist”, thotë ai për arbresh.info

Që ka mungesë të anesteziologëve, dhe që shkaku kryesor për vonesa në operime e ka pranuar për arbresh.info, edhe drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, në Kosovë, Hajriz Rudari.

“Mungesa e anesteziologëve është faktori kryesor që ka vonesa për operime” thotë Rudari.

Drejtori ka treguar që tani së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë kanë formuar një komision në kuadër të ShSKUK-së, në mënyrë që të sanohen pritjet e gjata.

“Shpresojmë që kjo të ndodh në të ardhmen e afërme”, deklaron Drejtori.

Rudari, sa i përket ‘venave Varicoze’ ka treguar që vitin e kaluar janë operuar në këtë klinikë gjithsej 220, persona, ndërsa këtë vit thotë se ka ngritje në 200 operime vetëm në 6 mujorin e parë.

Deri sa Ministria do të hapë konkursin e që me gjasë mund të mos aplikojnë mjaftueshëm anesteziolog. Për shkak të kushteve jo të mira e pagave jo adekuate që iu kanë ofruar mjekëve specialist, që nga pas lufta, qytetarët e Kosovës, do të vuajnë pasojat./arbresh.info/

Të ngjashme