Trendafilova cakton panelin e Apelit që do të vendos mbi ankesën e Thaçit e Veselit ndaj vendimit për ndryshime në aktakuzë

17:22 | 10 Shkurt 2022
L G

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka caktuar kolegjin e Apelit që do të vendos mbi ankesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit ndaj vendimit të gjyqtarit paraprake, me anë të së cilit ia kishte lejuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të bëj disa ndryshime në aktakuzën e konfirmuar.

Këtë e ka bërë të ditur përmes platformës online “Zoom”, shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kryetarja Ekaterina Trendafilova sot caktoi Kolegjin e Gjykatës së Apelit pas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake të datës 8 shkurt, ku pjesërisht pranoi kërkesat e z. Thaçi dhe z. Veseli për ankesë ndaj vendimit të tij të 23 dhjetorit. Në atë vendim, gjyqtari i procedurës paraprake, ndër të tjera, i lejoi ZPS-së që të bëjë disa ndryshime në aktakuzën e konfirmuar në këtë rast”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në panel janë caktuar gjyqtari Michèle Picard, gjyqtari Emilio Gatti dhe gjyqtarja Nina Jørgensen.

Në konferencën për medie të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se trupi gjykues në rastin e Salih Mustafës, duke u bazuar në tre raportet e ekspertëve, ka arritur në përfundim se gjykatat në Kosovë nuk ofrojnë një rrugë reale për viktimat për të kërkuar dëmshpërblim.

“Prandaj, Paneli vendosi që në rast të dënimit në këtë rast, viktimat të mos i referojë në gjykatat civile në Kosovë, por të lëshojë urdhër dëmshpërblimi. Paneli gjithashtu urdhëroi Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë që t’u përgjigjet pyetjeve deri më 16 mars 2022, në lidhje me mënyrën se si mund të zbatohej urdhri për dëmshpërblim i lëshuar nga Trupi Gjykues”, ka bërë të ditur ajo.

Griep ka thënë se më 4 shkurt, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka mbyllur rastin e saj në procedurën kundër Salih Mustafës.

“Të njëjtën ditë, Mbrojtja informoi se synon të paraqesë një mocion për të hedhur poshtë një ose të gjitha akuzat në aktakuzë (Rregulla 130). Ky mocion do të dorëzohet më 15 shkurt 2022, ndërsa përgjigjet e ZPS-së dhe avokatit të viktimave do të pritet më 21 shkurt 2022. Paneli synon të nxjerrë një vendim për një mocion të tillë ndërmjet datës 23 dhe 25 shkurt 2022”, ka thënë ajo.

Kurse, shtoi se derisa të vendoset për një mocion të tillë, gjykimi nuk mund të vazhdojë në fazën tjetër, e cila do të kishte të bënte me paraqitjen e provave nga mbrojtësi i viktimave dhe nga mbrojtja.

Lidhur me rastin Gucati dhe Haradinaj, ajo tha se trupi gjykues II e ka mbyllur fazën e provave të procedurës më 3 shkurt, pas mbylljes së çështjes të mbrojtjes më 2 shkurt.

“Trupi Gjykues më tej urdhëroi Mbrojtjen dhe Prokurorinë që të dorëzojnë dosjen e tyre përfundimtare të gjykimit deri më 3 mars dhe caktoi që deklaratat përfundimtare të mbahen ndërmjet 14 dhe 18 marsit 2022”, ka thënë Griep.

Ajo ka thënë se pasditen e 4 shkurtit u mbajt seanca paraprake në rastin e Thaçit, Veselit dhe Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, gjatë të cilës janë diskutuar çështjet lidhur me vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit, procesin e zbulimit dhe statusin e hetimeve.

Gjithashtu, bëri të ditur se seanca e radhës paraprake për këtë lëndë është caktuar për datën 24 mars në ora 14:30.

Ndërkaq, konferenca e radhës për statusin për rastin e Pjetër Shalës, tha se është caktuar për 4 mars, në ora 14:30.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Të ngjashme