Google ADS

Tre zyrtarë të BQK-së paguhen 200 mijë euro

10:52 | 15 Dhjetor 2017
L G

Bedri Hamza mund të mos jetë ndjerë mirë kur e ka kuptuar se nuk do të jetë edhe për një mandat në krye të Bankës Qendrore të Kosovës. Në BQK atij i është dashur ta lë pagën prej 4 mijë e 328 euro për një pagë prej 1 mijë eurosh si ministër i Financave.

Paga e guvernatorit Hamza vlerësohet të jetë ndër më të mëdhatë në mesin e institucioneve të pavarura në vend, që janë dhënë përgjatë vitit 2016, shkruan Gazeta Fjala.

Gati si shefi janë paguar edhe dy vartësit kryesor të tij, dy zëvendësguvernatorët, Fehmi Mehmeti dhe Fatmir Gashi. Të dy, gjatë viti 2016, kanë marrë pagë prej 3 mijë eurosh.

Këto tri pozita vlerësohen më pagat më të majme në Bankën Qendrore të Kosovës, por edhe në nivel vendi.

Së bashku gjatë vitit 2016 Hamza dhe dy zëvendësit e tij realizuan të hyra plot 192 mijë euro.

Më shumë sesa guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovë paguhet vetëm kryeshefi ezkzekutiv në Post-Telekomin e Kosovës, Agron Mustafa dhe Drejtori menaxhues në Trust, Ardian Zalli.

Mustafa ka një pagë prej 5 mijë e 182 euro derisa paga e Zallit në Trust është 5 mijë e 213 euro.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Besnik Kada ka sqaruar se përveç pagave në këto shpenzime hyjnë edhe kompensimet në formë të kontributeve bruto që janë dhënë për këta zyrtarë.

Në raportin e BQK-së zyrtarët e lartë të BQK-së konsiderohen si “Personel kyç i Menaxhmentit” bazuar në Ligjin për BQK-në.

“Këtu hyjnë Guvernatori dhe Zëvendësguvernatoret, (ne kuadër te ligjit ne fjale janë te specifikuara detyrat dhe përgjegjësitë e Bordit Ekzekutiv të BQK-se), në kuadër të asaj shume përfshihen kompensimet në formë te pagave dhe kontributeve bruto për vitin 2016”, ka thënë Kada, për Gazetën Fjala.

Menaxhmenti i lartë i rrit shpenzimet me 2016

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, një kopje të te cilit e ka siguruar Gazeta Fjala, vërehet së menaxhmenti i lartë në krye me Bedri Hamzën i kishin rritur ndjeshëm shpenzimet krahasuar me vitet e kaluara.

Në vitin 2015 shpenzimet e zyrtarëve me të lartë në BQK ishin 184 mijë euro, ndërsa gjatë vitit 2016 pati rritje prej 8 mijë eurosh.

“Gjatë vitit 2016 shpenzimet e personelit kyc të menaxhmentit ishin 192 mijë euro”,  thuhet në raportin e BQK-së.

Në vitin 2014 kompensimet e menaxhmentit shkuan në 216 mijë euro, ndërsa në vitin 2013 ato ishin 170 mijë euro.

Ndryshe në Bankën Qendrore të Kosovës funksionojnë dy borde. Bordi i BQK-së me pesë anëtarë dhe Bordi ekzekutiv në përbërje të te cilit janë guvernatori dhe zëvendësguvernatorët. /Gazeta Fjala/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme